Daku zgjedh qëndrimin në Kazan, refuzon Zenitin dhe siguron kontratë milionëshe

Daku zgjedh qëndrimin në Kazan, refuzon Zenitin…

Mirlind Daku ka rinovuar me Rubin Kazan-in deri në vitin 2029 dhe do të përfitojë një kontratë që arrin deri në 3 milionë euro në sezon, me bonuse të përfshira.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, ka firmosur një marrëveshje të re katërvjeçare me klubin rus Rubin Kazan. Pavarësisht interesimit nga Zeniti i Shën Petersburgut, Daku vendosi të refuzojë kalimin dhe të qëndrojë te skuadra aktuale, duke siguruar një kontratë shumë më të majme.

Sipas burimeve të mediave ruse, gjilanasi do të përfitojë një pagë bazë prej 2.2 milionë euro në sezon, ndërsa me përfshirjen e bonuseve të performancës, kjo shumë mund të arrijë deri në 3 milionë euro në vit. Kjo do të thotë se, përgjatë gjithë periudhës së kontratës së re, Daku do të përfitojë një total minimal prej 12 milionë eurosh.

Krahasuar me kontratën e tij të mëparshme, ku përfitonte 700 mijë euro në vit, kjo është një rritje domethënëse që e shndërron Dakun në një nga futbollistët më të paguar të klubit. Ai pritet të ketë një rol kyç në sezonet në vijim, ndërsa do të vazhdojë të mbajë peshën e repartit ofensiv të ekipit të Kazanit.

Një element i rëndësishëm në marrëveshjen e re është klauzola që i mundëson largimin pas vetëm gjashtë muajsh, nëse në drejtim të tij mbërrin një ofertë serioze nga ndonjë skuadër europiane. Kjo hap mundësi të reja për një transferim të mundshëm në janar 2026.

Vendimi i Daku-t për të refuzuar Zenitin dhe për të qëndruar në Kazan-i vjen pas negociatash të zgjatura. Klubi i Rubin Kazan-it i ka ofruar jo vetëm kushte të favorshme financiare, por edhe garanci për vazhdimësinë dhe rolin e tij në formacionin bazë.

Ky vendim konsiderohet strategjik si për karrierën e lojtarit, ashtu edhe për ambiciet e klubit, që synon të ngjitet më lart në renditjen e Premier Ligës ruse. Rrjedhimisht, marrëveshja e re i jep Dakut stabilitet dhe hap mundësinë për një tjetër hap të madh në të ardhmen e afërt.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit