Një punonjës policie ka ngritur shqetësimin për situatën brenda strukturave të Policisë së Shtetit, duke treguar se mungesa e personelit dhe kushtet e vështira të punës po krijojnë vështirësi të mëdha për efektivët në terren.
Në një mesazh drejtuar redaksisë, efektivi shprehet se rritja e ngjarjeve kriminale është shoqëruar me një gjendje të rënduar edhe brenda radhëve të policisë, ku sipas tij shumë punonjës po largohen nga detyra ose po kërkojnë transferime në sektorë të tjerë për shkak të presionit dhe mungesës së kushteve të përshtatshme.
Sipas denoncimit, në disa komisariate dhe rrethe, patrullat e përgjithshme përbëhen shpesh vetëm nga dy punonjës policie për turn, një situatë që, sipas tij, e vështirëson përballimin e rasteve të rrezikshme.
“Si mund të përballosh një person të rrezikshëm apo një ngjarje kriminale me vetëm dy efektivë, kur njëri prej tyre është i angazhuar si drejtues mjeti dhe në praktikë mbetet vetëm një punonjës përballë rrezikut?”, shprehet efektivi në mesazhin e tij.
Ai thotë se punonjësit dalin çdo ditë në terren për të garantuar sigurinë e qytetarëve, por në shumë raste ndihen të pambështetur për shkak të mungesës së stafit, pajisjeve dhe kushteve të nevojshme të punës.
Sipas tij, një efektiv policie nuk duhet të përballet i vetëm me rreziqet e detyrës, ndërsa kërkohet më shumë vëmendje ndaj sigurisë dhe mbështetjes së strukturave që përballen çdo ditë me situata të vështira.
“Jeta e njerëzve është në dorë të Zotit, sepse për policin askush nuk mbetet dëshmor kur kushtet janë në gjendje alarmi”, shkruan ai, duke kërkuar që shqetësimi i ngritur të shërbejë si nxitje për një debat mbi gjendjen reale të Policisë së Shtetit dhe masat që duhen marrë.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ Albania,
Jam nje punonjës policie, duke marrë shkas nga rritja e ngjarjeve kriminale orët e fundit që po pasqyrojnë gjithnjë e më shumë gjendjen e rënduar të rendit publik.
Situata brenda strukturave të policisë është alarmante. Shumë kolegë po largohen nga detyra, ndërsa të tjerë po kërkojnë të kalojnë në sektorë të ndryshëm, për shkak të vështirësive dhe mungesës së kushteve të nevojshme për të përballuar këtë punë.
Në patrullat e përgjithshme në shumë rrethe, shpesh kemi mbetur vetëm dy punonjës policie për turn. Në një situatë të tillë lind pyetja: si mund të përballosh një person të rrezikshëm apo një ngjarje kriminale me vetëm dy efektivë, kur njëri prej tyre është i angazhuar si drejtues mjeti dhe në praktikë mbetet vetëm një punonjës përballë rrezikut!
Ne dalim çdo ditë në terren me përgjegjësinë për të mbrojtur qytetarët, por siguria jonë mbetet shpesh e pasigurt për shkak të mungesës së personelit, pajisjeve, mbështetjes dhe kushteve të përshtatshme të punës. Polici nuk duhet të ndihet i braktisur përballë rrezikut. Me këto kushte pune dhe me këtë nivel vlerësimi e mbështetjeje, shumë prej nesh ndihen sikur po kërkohet të sakrifikojnë jetën pa pasur garancitë minimale që i duhen një punonjësi të shtetit.
Shpresoj që kjo thirrje të dëgjohet dhe të shërbejë për të hapur një debat serioz mbi gjendjen reale të policisë dhe sigurinë e atyre që çdo ditë përballen me rrezikun në rrugë.
Ku me pak fjal mbetet për të thën: Jeta e njerëzve është në dor të Zotit, Sepse për Policin askush nuk mbetet deshmor kur kushtet tona jane në gjendje alarmi. Nuk më vjen mir ta them unë kte por është realitet i hidhur. Ju lutem postojeni ndoshta merren masa