
Policia britanike ka arrestuar tre shtetas shqiptarë dhe një grua britanike, të dyshuar për përfshirje në një seri grabitjesh të sofistikuara me vlera të mëdha në disa rajone të Anglisë. Hetimi është pjesë e një operacioni të gjerë antikrimi, të quajtur “Operacioni Ambler”, që synon grupet kriminale të organizuara me origjinë shqiptare.
Të arrestuarit janë: Endrit Nikolli, 27 vjeç; Kristian Gropcaj, 30 vjeç; George Pepa, 30 vjeç dhe Jade Tubb, 33 vjeçe. Ata akuzohen për komplot për të kryer grabitje dhe për pastrim parash të fituara në mënyrë të paligjshme, në periudhën nëntor 2024 – mars 2025.
Sipas autoriteteve, grupi dyshohet për të paktën 20 raste grabitjesh në Cleveland, Staffordshire, Derbyshire, Nottinghamshire dhe Cheshire. Vetëm Nikolli është akuzuar edhe për një grabitje shtesë në Staffordshire më 1 mars të këtij viti.
Hetimet kanë zbuluar se grabitësit synonin shtëpi të shtrenjta, duke hyrë kryesisht nga dritaret ose dyert e katit të parë. Në total, vlera e sendeve të vjedhura tejkalon 1 milion paund, prej të cilave mbi 400,000 janë marrë nga banesa luksoze në zonën e njohur si “Trekëndëshi i Artë” në Cheshire, ku jetojnë shumë futbollistë dhe figura të njohura publike.
Pamjet nga operacioni tregojnë momentet kur forcat speciale ndërhyjnë në banesa në Walsall, Birmingham dhe Sutton Coldfield. Disa persona u arrestuan në shtrat, ndërsa të tjerë u shoqëruan me pranga drejt makinave të policisë. Oficerët sekuestruan orë luksoze dhe telefona, që dyshohet se janë pjesë e sendeve të vjedhura.
Një shqiptar i katërt, 28 vjeç, u arrestua të enjten në Londër dhe ndodhet ende në paraburgim.
Sipas detektives Laura Fox nga CID Macclesfield, operacioni është kulmi i një hetimi të thelluar që përfshin të paktën 37 grabitje të organizuara, të cilat kanë ndodhur gjatë një periudhe gjashtëmujore. “Këta persona kanë planifikuar me kujdes çdo hap dhe kanë vepruar me profesionalizëm, duke synuar pasurinë me çdo kusht”, tha ajo.
Kolegu i saj, inspektori Dave Jarvis, dha një mesazh të qartë: “Nuk ka rëndësi ku jetoni apo sa përpiqeni të fshiheni, ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju arrestojmë”.
Ndërkohë, grabitjet e sofistikuara në zonat e pasura të Anglisë kanë bërë që banorët, përfshirë figura publike, të forcojnë masat e sigurisë me kompani private.
Një rast i veçantë ndodhi muajin e kaluar në Prestbury, ku grabitësit hapën një vrimë në murin e një ndërtese të braktisur për të hyrë në një dyqan pranë, duke vjedhur çanta luksoze në vlerë 260,000 paund. Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe në Alderley Edge, ku janë vjedhur çanta të markave të shtrenjta me vlerë mbi 1 milion paund.
Deri më tani, këto raste nuk janë lidhur zyrtarisht me grupet shqiptare, por modeli dhe profesionalizmi i veprimeve ka ngritur dyshime serioze mbi rolin e organizatave të krimit të organizuar në këtë valë grabitjesh luksi në Mbretërinë e Bashkuar.