Në ndeshjen e fundit mes Shqipërisë dhe Serbisë, zhvilluar në vitin 2014 në Beograd, ngjarjet në fushë lanë një shije të hidhur. Një flamur i Shqipërisë etnike u shfaq në qiellin e Beogradit, duke ndezur tensionet. Tifozët serbë u futën në fushë dhe sulmuan lojtarët shqiptarë, të cilët u larguan menjëherë në dhomat e zhveshjes. Ndeshja, që kishte nisur si një përballje sportive, mori një kthesë të rrezikshme dhe përfundoi para kohe.
Tani, historia i përball sërish dy kombëtaret, këtë herë fillimisht në “Arenën Kombëtare” të Tiranës dhe më vonë në tokën serbe. Emocione, kujtime dhe pritshmëri gjithçka duket se është gati për një tjetër kapitull të ngarkuar.
Për këtë ndeshje të shumëpritur ka reaguar edhe ish-trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, i cili ishte në krye të skuadrës në sfidën e vitit 2014. Me tone të qarta dhe një mesazh të fortë, ai u bëri thirrje tifozëve që ta shohin këtë përballje si një ndeshje futbolli, jo si një betejë politike:
“Mos bëni luftë politike, bëni luftë futbolli! Do jem në Arenën Kombëtare, dhe dua që tifozët ta çojnë skuadrën drejt fitores,” – u shpreh De Biasi.
Ai theksoi se do ta ndjekë ndeshjen nga stadiumi dhe ftoi tifozët të përqendrohen vetëm te loja:
“Të marrim 3 pikët dhe të harrojmë pjesën tjetër – ajo nuk vlen më.”
I pyetur për kujtimet nga Beogradi, trajneri italian nuk ngurroi të pranojë që ajo ndeshje kishte dalë jashtë kufijve të futbollit:
“Ishim duke luajtur një ndeshje të barabartë, me raste për të shënuar. Më pas tifozët hynë në fushë dhe arbitri na çoi në dhomat e zhveshjes – aty gjithçka përfundoi. Nuk ishte më futboll.”
Sot, ai e sheh Kombëtaren shqiptare më të kompletuar dhe me më shumë cilësi:
“Në kohën time kishim vetëm 2 ose 3 lojtarë që luanin në nivele të larta. Tani kemi futbollistë në Serie A dhe në kampionatet më të forta të Europës – kjo skuadër ka më shumë përvojë dhe potencial.”