
GREQI–Ministria e Jashtme e Greqisë është bërë pjesë e debatit politik që ka përfshirë Shqipërinë prej dy ditësh, pas dekretit presidencial që u miratua dy ditë më parë në shtetin fqinj, duke i dhënë mundësi Athinës të zgjerohet me 12 milje në detin Jon. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Dekreti Presidencial u lëshua në zbatim të ligjit ratifikues të Konventës së Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit. Në njoftimin e Ministrisë thuhet se zgjerimi i detit me 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit.
DEKLARATA E PLOTE E MINISTRISE GREKE:
Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për hyrjen në fuqi sot të Dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe ndërtimin e vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe Ishujt në Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez. Dekreti Presidencial u lëshua në përputhje me ligjin ratifikues të Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit. Është një hap i domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit në zonën e mësipërme, veprim i cili, sipas Konventës, është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit. Dekreti i Presidentit thekson se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj, pasi ato rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit, e cila pasqyron të drejtën ndërkombëtare. Greqia është e vendosur në mënyrë rigoroze për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ligjin e detit dhe gjithmonë vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Dy ditë më parë, Greqia njoftoi zyrtarisht se do të zbatonte dekretin për tu zgjeruar me 12 milje në detin Jon. Lajmi hapi debat në politikën shqiptare. Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shet detin, ndërsa i dërgoi zyrtarisht edhe 6 pyetje për këtë çështje duke i kërkuar transparencë. Ndërsa përgjigjia e kryeministrit Edi Rama ishte e shkurtër. Rama tha se është një marrëzi e madhe akuza për shitjen e detit, ndërsa shtoi se Greqia ka zbatuar të drejtën e saj për t’u zgjeruar në detin Jon.