
Përplasja mes Ramës dhe Farage u shfaq më shumë si një tentativë e dështuar për protagonizëm sesa një debat konstruktiv për shqiptarët në Britani
Përplasja virtuale mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe politikanit britanik Nigel Farage, nuk solli asnjë zgjidhje reale për çështjen e emigrantëve shqiptarë, përkundrazi, shfaqi një betejë të kotë për vëmendje dhe ndikim në opinionin publik britanik. Rama u përfshi në një shkëmbim të gjatë mesazhesh me Farage në rrjetin social “X”, duke tentuar të refuzojë shifrat për shqiptarët e burgosur në Britani, por gjithçka përfundoi në një dialog emocional dhe të pambështetur në strategji reale politike.
Në vend që të shfrytëzojë takimin me kryeministrin britanik Keir Starmer për të ndërtuar ura bashkëpunimi serioze në interes të shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, Rama zgjodhi një kurs të vjetër – përfshirjen në debat publik me figura nacionaliste britanike. Ai reagoi me një mesazh të gjatë ku ironizonte Farage-in dhe citonte proverba latine, por mungesa e thelbit politik ishte evidente.
Në qendër të debatit u vendos pretendimi i Farage-it se “një në 48 shqiptarë ndodhet në burgjet britanike”, pas deklarimit fillestat të Farage-it se “një në 50 shqiptarë ishte në burg” të cilin Rama e quajti “dashakeqësi”. Por reagimi i tij nuk mbështetej në të dhëna konkrete shtetërore, ndërsa e gjithë përpjekja e tij u kufizua në mohim dhe ironi. Kjo strategji komunikimi u perceptua nga shumë vëzhgues si një përpjekje për të ndërtuar profilin e tij ndërkombëtar, në vend që të përfaqësonte me dinjitet interesat e diasporës shqiptare.
Për ta bërë edhe më tërheqës postimin e tij, Rama e shoqëroi reagimin me një imazh të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, ku ai dhe Farage-i shfaqeshin bashkë në bregdetin shqiptar. Ky detaj, në vend që të qetësonte gjakrat, e ktheu gjithë debatin në një farsë dixhitale të pakonsoliduar dhe larg seriozitetit që kërkon kjo temë.
Rama u përpoq të kthejë vëmendjen tek kontributi i shqiptarëve në Britani si studentë, punëtorë apo sipërmarrës. Por argumentet e tij, të përziera me sarkazëm, nuk shërbyen për të sfiduar me fakte retorikën nacionaliste të Farage-it. Madje, kjo mënyrë përgjigjeje i dha këtij të fundit më shumë terren për të vijuar me akuzat, duke i përforcuar ato në sytë e ndjekësve të tij.
Nëse qëllimi i Ramës ishte të afirmonte veten si një lider me ndikim në politikën britanike, ai dështoi. As në komunikim diplomatik dhe as në mesazhin politik, kreu i qeverisë shqiptare nuk arriti të përfaqësojë me peshë interesat e shqiptarëve që përballen me sfida reale në emigrim.
Ndërkohë, Farage, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme dhe përpjekjet për të politizuar çdo debat rreth emigracionit, e përdori këtë përplasje si një mjet të zakonshëm për të ushqyer diskursin e tij kundër emigrantëve. Rama, pa e kuptuar ose ndoshta me qëllim, ra në grackën e këtij diskursi, duke i dhënë audiencë një protagonisti të së djathtës populiste britanike.
Në fund, “debati” nuk solli as qartësi për shifrat, as zgjidhje për shqiptarët në Britani, por vetëm një tjetër episod të një spektakli mediatik, ku fjalët zëvendësuan veprat. Dhe për një kryeministër që pretendon të përfaqësojë një vend europian në prag të integrimit, një përgjigje më serioze dhe me peshë politike do të kishte qenë më e nevojshme se çdo fotografi me filtra artificialë.