Debati për vaksinën anti-Covid, OBSH: Reduktoi me 57% vdekjet

Debati për vaksinën anti-Covid, OBSH: Reduktoi me…

Debati për vaksinimin e popullatës për Covid-19 është zgjatur për një kohë të gjatë, ndërsa në disa vende europiane janë hapur edhe disa procese gjyqësore. Por gjatë një studimi të bërë së fundmi nga OBSH, ka rezultuar se vaksina anti-covid ka reduktuar me 57% vdekjet në periudhën kur pandemia kishte pushtuar botën.

Sipas ekspertëve, aplikimi i vaksinës ka shpëtuar më shumë se 1.4 milionë jetë në Rajonin Evropian të OBSH-së. Shumica e të shpëtuarve i përkasin moshës mbi 60 vjeç që ishte grupi me rrezikun më të lartë të sëmundjes së rëndë dhe vdekjes nga virusi SARS-CoV-2. Të dhënat flasin se vetëm me marrjen e dozës së dytë të vaksinës janë shpëtuar 700.000 jetë.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore, u regjistruan 277 milionë raste të konfirmuara me Covid dhe 2,5 milion jetë të humbura. Ekspertët mendojnë se pa vaksina shifra e vdekjeve do kishte arritur ne 4 milion.

Raporti zbulon një ulje prej 57% të vdekshmërisë në mesin e atyre të moshës 70-79 vjeç dhe një ulje prej 54% të vdekjeve midis atyre të moshës 60-69 vjeç. Vdekshmëria ishte 52% më e ulët në grupmoshën 50-59 vjeç. Grupmosha mbi 80 vjeç ka përfituar më shumë nga vaksinimi, me një ulje prej 62% të vdekshmërisë. Midis atyre të moshës 25 deri në 49 vjeç, marrja e një doze të dytë vaksine rezultoi në një ulje prej 48% të vdekshmërisë.

Vaksina anti-Covid u tentua të merrej edhe në një dozë të tretë, por numri i personave që e aplikuan ka rezultuar i ulët. Kjo për faktin, se bota po fillonte të çlirohej dhe numri i të prekurve ishte në rënie. Pasojat që pandemia la në jetën e njerëzimit ishin shumë të mëdha, si në jetët e humbura, por edhe në ekonomitë e vendeve, që shënuan bilace negative për shkak të masave të marra.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit