Defekt në frena apo problem shëndetësor i shoferit, pistat e hetimit për aksidentin e betonieres

Defekt në frena apo problem shëndetësor i…

Mosfunksionimi i mundshëm i sistemit të frenimit ose një problem shëndetësor i papritur i drejtuesit të kamionit janë dy pistat kryesore që po hetohen për aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Unazën Lindore të Tiranës, ku humbën jetën dy punëtorë egjiptianë të kompanisë Alba Beton.

Sipas të dhënave paraprake, kamioni me pompë betoni dyshohet se ka hyrë me shpejtësi në rrethrrotullim pa shenja frenimi, duke u përplasur fillimisht me automjetin e 28-vjeçarit Roland Nuri dhe më pas me barrierat mbrojtëse të rrethit. Pas përplasjes së fortë, mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në nivelin e poshtëm të Unazës, ku humbën jetën drejtuesi dhe pasagjeri i kamionit.

Hetuesit po krahasojnë dinamikën e këtij aksidenti me një ngjarje të ngjashme të vitit 2023, ku edhe atëherë një automjet kishte hyrë me shpejtësi në rreth dhe kishte përfunduar jashtë tij. Pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga grupi hetimor, pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të momentit të përplasjes.

Viktimat janë identifikuar si Mohamed Lotf, 30 vjeç, dhe Mohamed Ali, 44 vjeç. Të dy kishin mbërritur në Shqipëri rreth një muaj më parë me vizë pune dhe leje qëndrimi njëvjeçare. Nga verifikimet e kryera rezulton se ata ishin të pajisur me dokumentacionin përkatës: Lotf dispononte leje drejtimi për kamion, ndërsa Ali punonte si pompist i betonit.

Ekspertiza mjekoligjore do të përcaktojë nëse drejtuesi i mjetit ka pasur ndonjë problem shëndetësor në momentin e aksidentit, ndërsa ekspertimi teknik i kamionit do të sqarojë nëse shkak ka qenë ndonjë defekt mekanik, veçanërisht në sistemin e frenimit.

Nga përplasja ka mbetur i dëmtuar edhe drejtuesi i automjetit Audi, Roland Nuri. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ka marrë vetëm dëmtime të lehta, pavarësisht se automjeti i tij pësoi dëme të rënda. Ndërkohë, hetuesit vlerësojnë se përfundimi i kamionit në nivelin e poshtëm ka shmangur një tragjedi edhe më të madhe, pasi në atë moment aty po qarkullonin edhe automjete të tjera në drejtim të Elbasanit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit