
Xhevdet Jashari: Kush përdor termin ‘kosovar’ po pranon një ndarje të imponuar nga serbët, ne jemi vetëm shqiptarë
Aktori i njohur Xhevdet Jashari ka ngjallur debat të fortë publik pas një deklarate të drejtpërdrejtë lidhur me përdorimin e termit “kosovar”, të cilin ai e cilëson si të papranueshëm dhe të dëmshëm për identitetin kombëtar shqiptar.
Sipas Jasharit, termi “kosovar” nuk është asgjë tjetër veçse një krijim i imponuar nga propaganda serbe dhe përdorimi i tij nga vetë shqiptarët është, siç tha ai, “i dhimbshëm dhe thellësisht i gabuar”. Ai theksoi se “fjala Kosovë është me origjinë serbe dhe ai që e përdor termin kosovar është më mirë të thotë se është serb”.
“Mallkuar qoftë ai që thotë jam kosovar. S’ka kosovar, ka vetëm shqiptarë,” – u shpreh aktori me tone të forta. Ai shtoi se e konsideron të pafalshme ndarjen e shqiptarëve në grupe të ndryshme sipas vendbanimit.
Jashari kritikoi ashpër ata që vetëidentifikohen si “kosovarë”, duke e cilësuar këtë si një akt që përforcon ndarjen e qëllimshme të shqiptarëve në troje të ndryshme. “Duhet t’i vijë shumë rëndë një shqiptari të thotë se është kosovar. Përdorimi i atij termi më dhemb shumë,” – theksoi ai.
Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe shqiptarët jashtë Kosovës, duke theksuar se ndjen dashuri të madhe për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse janë nga Maqedonia, Presheva apo ndonjë vend tjetër. “Çka me thënë unë që jam shqiptar i Maqedonisë, që e dua Kosovën? Nuk jemi serbë, nuk jemi maqedonas, jemi shqiptarë,” – shtoi ai.
Për Jasharin, përçarja që ndodh përmes këtyre etiketimeve është fatkeqësi dhe u bëri thirrje shqiptarëve të refuzojnë ndarjen mes tyre. Ai e përmbylli deklaratën duke mbështetur të drejtën e secilit për të ndjerë si dëshiron, por nënvizoi se termi “kosovar” është i papranueshëm për të dhe bie ndesh me unitetin kombëtar.
Këto qëndrime të aktorit kanë ndezur diskutime të shumta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik, me reagime të ndara mes atyre që ndajnë mendimin e tij dhe atyre që e shohin termin “kosovar” si pjesë të identitetit të veçantë të shqiptarëve të Kosovës.