Deklarata e fortë e Ish-shefes së AMA-s: Si lindi 'Ora News'? Mbesa e Sandër Frangajt shiti sinjalin 700 mijë euro...

Deklarata e fortë e Ish-shefes së AMA-s:…

Pikërisht në kulmin e debateve dhe akuzave për pastrim parash, ku SPAK merr vendime dhe vendos nën sekuestro prona dhe media, peshkaqenët dhe oligarkët nuk preken.

Vetëm dje shqiptarët panë se si GJKKO-ja vendosi sekuestrimin e pasurisë së pronarit të “RTV Ora”, Ylli Ndroqit, i dyshuar për trafik narkotikësh në Turqi dhe Itali.

Por ajo që ishte më absurde në gjithë këtë histori ishte fakti se si forcat speciale të policisë u panë teksa mbërritën të armatosur në ambientet e televizionit, a thua se gazetarët do të bënin qëndresë të armatosur.

Avokati i Ndroqit dhe vetë televizioni u shprehën se, ky është një sulm politik i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.

Lidhur me situatën ka reaguar edhe ish-drejtoresha e AMA-s, Endira Bushati.

Përmes një postimi në Facebook, ajo kërkon që SPAK t’i shkojë hetimit deri në fund.

Sipas Bushatit, televizioni i është shitur Ndroqit, nga mbesa e pronarit të “TV Klan”, Aleksandër Frangajt, me vlerën 700 mijë euro.

Ajo shton se, “SPAK le të hetojë se si Sandër Frangaj, pasi nuk la gur majtas e djathtas pa lëvizur, për të shfuqizuar nenin 62 të ligjit të medias, kapi Gjykatën Kushtetuese në vitin 2016, që e shpalli nenin antikushtetues…”.

Reagimi i plotë i Endira Bushatit në Facebook:

“Le të hetojë si lindi Ora News….

Mbesa 18 vjeç e A. Frangaj “fitoi” nga KKRT në 2006 një licencë televizioni….. dhe pastaj brenda 1 muaji ia shiti Ylli Ndroqit për rreth 700 mijë euro…

Le të hetojë se si A. Frangaj, pasi nuk la gur majtas e djathtas pa lëvizur për të shfuqizuar nenin 62 të ligjit të medias, kapi Gjykatën Kushtetuese në 2016 që e shpalli nenin antikushtetues….

Le t’i hetojë sesi këta Gjyqtarë Kushtetues, në kundërshtim me rekomandimet e BE, KiE dhe OSBE , e shpallën këtë nen antikushtetues, nen që garantonte që licencat kombëtare të mos përqendroheshin në një familje….

Le të hetojë AMAn, që në kundërshtim mesa rekomandonte gjithë Evropa, ishte zyrtarisht pro shfuqizimit të këtij neni…

Le të hetojë shitjen e ABC News, një program/kanal pjesë e një licence kombëtare….i cili sipas ligjit shqiptar nuk mund të shitet më vete…

Le të hetojë gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e AMAs që në kundërshtim flagrant me ligjin, mundësuan që me 4 vota nga 5 që kërkonte ligji, dhanë me vendime gjykatash 4 nga 5 licencat kombëtare televizive për familjet Frangaj dhe Hoxha….

Le të hetohen Taulant Balla dhe çdo deputet i çdo partie në Komisionin e Medias që kishin detyrim ligjor të rregullonin nenin 62 të ligjit të medias, pas vendimit të GJK, dhe kanë 4 vjet që nuk bëjnë asgjë….

Le të hetohen të gjithë e gjithçka….

Kur SPAK të hetojë këto, mund të themi se diçka po ndodh në Shqipëri….

Deri atëherë….

Asgjë e re nga fronti i (Ri) Lindjes…”

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit