⁠Themeluesi i Telegramit me 17 MLD pasuri: Do ia lë 106 fëmijëve të mi

⁠Themeluesi i Telegramit me 17 MLD pasuri:…

Pavel Durov do t’u lërë pasurinë e tij prej 17 miliardë dollarësh 106 fëmijëve që pretendon se ka

Themuesi i diskutueshëm i aplikacionit Telegram, Pavel Durov, ka deklaruar se do ta ndajë pasurinë e tij prej miliarderi mes 106 fëmijëve që thotë se ka sjellë në jetë, disa natyrshëm dhe të tjerët përmes dhurimit të spermës.

Në një intervistë për mediat franceze, Durov, 40 vjeç, sqaroi se ai është baba biologjik i gjashtë fëmijëve me tre gra të ndryshme dhe gjithashtu ka dhuruar spermë për më shumë se 100 fëmijë në 12 vende. Ai theksoi se të gjithë do të trajtohen njësoj në testamentin e tij.

Durov, që sipas “Forbes” ka një pasuri rreth 17.1 miliardë dollarë, tha se për herë të parë ofroi spermën për të ndihmuar një mik, por pjesa tjetër e dhurimeve ka qenë në mënyrë anonime. Ai nënvizoi se nuk bën asnjë dallim midis fëmijëve të lindur në mënyrë natyrale dhe atyre që vijnë nga dhurimet.

Sipas deklaratës së tij, pasuria do të ndahet mes këtyre fëmijëve vetëm pas një periudhe 30-vjeçare nga data e intervistës, më saktësisht më 19 qershor 2055. Durov theksoi se dëshiron që fëmijët e tij të rriten pa varësi financiare, të zhvillojnë vetëbesimin dhe të krijojnë bazën e tyre në jetë.

Ai tha se ky vendim për të ndarë trashëgiminë që tani lidhet me natyrën e punës së tij, të cilën e cilësoi si të rrezikshme. Themelimi dhe drejtimi i Telegramit, një platformë e njohur për privatësinë dhe enkriptimin, e ka vënë Durovin shpesh në shënjestër të autoriteteve.

Në gusht 2024, autoritetet franceze ngritën akuza ndaj Durovit, duke e akuzuar se ka lejuar përhapjen e aktivitetit kriminal në Telegramit, përfshirë përmbajtje abuzive ndaj fëmijëve, tregti droge dhe mashtrime të tjera, sipas The New York Times-it dhe NBC News-it.

Megjithatë, Durov ka mohuar çdo fajësi, duke thënë se ndaj tij nuk është provuar asgjë. Sipas tij, përpjekjet për të mbrojtur lirinë sjellin shumë armiq, përfshirë edhe nga shtetet më të fuqishme.

Telegram, nga ana tjetër, ka deklaruar se përdor mekanizma të ndryshëm për të ndaluar përmbajtjen e paligjshme në platformë, duke përfshirë teknika të moderimit të përmbajtjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit