Dekriminalizimi/ KQZ vendos nesër për mandatin e kryebashkiakut të Matit dhe Librazhdit

Dekriminalizimi/ KQZ vendos nesër për mandatin e…

Dy kryebashkiakë të tjerë të PS rrezikojnë të humbasin mandatin. Agron Malaj, kryetar i Bashkisë Mat dhe Kastriot Gurra i Librazhdit do të njihen me vendimin e KQZ-së në mbledhjen e parashikuar për ditën e nesërme.

Agron Malaj u denoncua nga Partia Demokratike se është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike, për shkak të dënimit me 10 muaj burg në viin 1999 për armëmbajtje pa leje. Vendimi i formës së prerë nga Gjykata e Matit, sipas PD, e bën Malajn automatikisht të përjashtuar nga kandidimi dhe mbajtja e funksioneve publike.

Edhe Prokuroria konstatoi dënimin me burg të Malajt, por deklaroi se është KQZ ajo që duhet të vendosë nëse duhet t’i hiqet mandati apo jo.

Ndërsa për kryetarin e Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra, denoncimi është bërë nga një shoqatë me pretendimin se Gurra dyshohet se nuk ka deklaruar një procedim penal nga Prokuroria e Elbasanit për falsifikim të vulave në vitin 2008.

Prokuroria sekuestroi formularin e vetëdeklarimit të Gurrës dhe i përcolli KQZ-së konkluzionet e verifikimit të ushtruar ndaj subjektit.

Për të dy, KQZ do të vendosë nesër në mbledhjen e orës 11:00.

Njoftimi i KQZ
Pershendetje!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e martë, më datë 16.06.2020, ora 11:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:
Shqyrtimi i projekt-vendimeve:

1. Per shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z.Agron Rufat Malaj, me funskion Kryetar i Bashkisë Mat, qarku Dibër, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funsione publike”.

1. Per shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Kastriot Hasan Gurra, me funskion Kryetar i Bashkisë Librazhd, qarku Elbasan, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funsione publike”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit