
Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në një kantier ndërtimi në lagjen “Kushtrimi” të Beratit, ku një punëtor 66-vjeçar humbi jetën pasi ra nga kati i tretë i një pallati në ndërtim. Viktima, Ramadan Hatija, u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.
Autopsia e kryer mbrëmjen e djeshme ka përjashtuar shkaqe natyrale si arrest kardiak apo probleme të tjera shëndetësore, duke konfirmuar se vdekja erdhi si pasojë e goditjeve të forta të marra në kokë gjatë rënies. Në gjakun e viktimës nuk u gjetën gjurmë alkooli apo substancash të tjera.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë një realitet tronditës, punonjësit ishin të ekspozuar ndaj rrezikut ekstrem, pa asnjë lloj mase mbrojtëse. Asnjë parmak sigurie, as pajisje mbrojtëse dhe pa litarë sigurie. Një situatë alarmante që flet për një neglizhencë të thellë të standardeve të sigurisë në punë.
Menjëherë pas ngjarjes, pronari i firmës ndërtuese “BIFFER & CO SHPK”, 65-vjeçari Tahir Numani, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim nga policia. Ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim për mungesën e kushteve minimale të sigurisë në kantierin ku ndodhi tragjedia.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur procedimin penal edhe për teknikun e firmës, shtetasin S.B., 69 vjeç, i cili, së bashku me pronarin, akuzohet për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Sipas informacioneve, ky nuk është incidenti i parë në këtë kantier, disa muaj më parë një tjetër punëtor ka mbetur i plagosur në rrethana të ngjashme. Aktualisht, kantieri është mbyllur nga policia deri në përfundimin e hetimeve.
Një jetë e humbur, një pronar në arrati dhe institucione që kanë lejuar punën në kushte të rrezikshme. Kjo ngjarje tragjike ngre sërish alarmin për sigurinë në punë dhe nevojën për kontrolle më të rrepta në sektorin e ndërtimit.