Kur kanë kaluar tre muaj nga qëndrimi në burg, Behtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax është lirguar nga qelia.
Crax i cili është ‘DJ’ i reperit Rigels Rajku, që njihet me emrin Noizy, u vu në pranga tre muaj më parë pas një sherri masiv që ndodhi në një klub nate në Pejë, ku u dhunua keq personazhi i njohur i rrjetit social TikTok, Medi Iseni.
Behtjari u mbajt në paraburgim i akuzuar se kishte ‘gisht’ në dhunimin e Medit dhe mikut të tij, por tre ditë më parë u dërgua në Kosovë, ku pasi doli në gjyq është lënë i lirë.
Më parë Noizy u arrestua nga Policia bashkë me ‘DJ’ e tij afër Shëngjinit, teksa po shkonin në një koncert. Por Noizy, i cili është edhe mik i politkanëve shqiptarë që e përdorin për fushata zgjedhore, u la i lirë me anë të një garancie prej 50 milion lekësh të vjetra.
Nga ana tjetër Arkimed Lushaj, që njihet me emrin Stresi, prej muajsh është ‘zhdukur’ nga qarkullimi për t’i shmangur arrestimit. Ai vijon të jetë në kërkim nga policia, teksa prej disa muajsh ka anulluar dhe koncertet.
Medi Iseni akuzoi se u ‘pre në besë nga Stresi, i cili e ftoi në të njëjtin vend ku ishte dhe Noizy me grupin e tij’.