Del nga burgu Rozeta Dobi, i vodhi shefes në ministrinë e Financave 500,000€ dhe i fshehu në tubin e aspirimit

Del nga burgu Rozeta Dobi, i vodhi…

Rozeta Dobi ka lënë këtë të mërkurë burgun e grave në Pojskë të Pogradecit, pasi përfitoi nga amnistia penale. Lirimi i saj rikthen në vëmendje një nga çështjet më të bujshme të viteve të fundit, që jo vetëm çoi në arrestimin e saj, por hapi edhe një hetim të gjerë mbi origjinën e qindra mijëra eurove të gjetura jashtë sistemit bankar.

Dobi u dënua për vjedhjen e parave nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi në ministrinë e Financave, ku punonte si pastruese. Fillimisht, Klosi denoncoi se i ishin marrë 120 mijë euro, 30 mijë dollarë dhe sende me vlerë. Gjatë kontrolleve në banesën e Rozeta Dobit, policia gjeti edhe 404.800 euro, 8.500 dollarë, si dhe bizhuteri të fshehura në tubin e aspirimit, duke e çuar vlerën totale të parave dhe sendeve të sekuestruara në mbi 500 mijë euro.  

Një nga misteret më të mëdha të dosjes ishte pikërisht origjina e shumës prej mbi 404 mijë eurosh. Alda Klosi këmbënguli se asaj i ishin vjedhur vetëm 120 mijë euro dhe mohoi se kishte lidhje me pjesën tjetër të parave, ndërsa Rozeta Dobi deklaroi se e gjithë shuma ishte marrë nga banesat e ish-zyrtares. Ky kontrast deklarimesh bëri që hetimet të zgjeroheshin edhe ndaj Klosit për të verifikuar burimin e pasurisë.  

Sipas dosjes hetimore, Dobi pranoi se kishte hyrë në banesë me çelësin që dispononte si pastruese, kishte gjetur një kasafortë me para dhe i kishte marrë ato. Në dëshminë e saj ajo deklaroi se e kreu vjedhjen për shkak të urrejtjes që kishte krijuar ndaj punëdhënëses.  

Tashmë, pas më shumë se tre vitesh nga shpërthimi i skandalit, Rozeta Dobi është një nga qindra personat që kanë përfituar nga amnistia penale, e cila prek të dënuar, të paraburgosur dhe persona nën hetim sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit