Delina Ibrahimaj: Bordi i Transparencës kishte qëllim uljen e çmimit të karburanteve

Delina Ibrahimaj: Bordi i Transparencës kishte qëllim…

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se Bordi i Transparencës ka ndikuar në uljen e çmimit të karburanteve. Prej më shumë se një viti, çmimi i naftës, benzinës dhe gazit, caktohet nga ky bord. Shifrat rekord të shitjes shkuan deri në 265 lekë për litër të çmimit të naftës, dhe në po të njejtat nivele edhe çmimi i benzinës.

Në një kohë kur sipas përllogaritjeve të ekspertëve të ekonomisë, çmimi i naftës gjatë krizës në Shqipëri ka qenë më i lartë se bursa ndërkombëtare, por ministrja thotë se bordi ka bërë të kundërtën. Ky bord u kundërshtua edhe nga shoqata e hidrokarbureve si dhe nga disa kompani tregtimi, duke thënë se çmimi i naftës mund të ishte më i ulët sesa caktohej nga Bordi i Transparencës.

Mirëpo për ministren Ibrahimaj Bordi i Transparencës ka dhënë vetëm ndikime pozitive dhe ka ndikuar në uljen e çmimit të karburanteve. Ndonëse kishte për qëllim transparencën, qeveria nuk ka bërë publik asnjë diskutim të antarve të këtij bordit, të cilët me dyer të mbyllura kanë vendosur vetë çmimet e karburanteve. Madje ky bord është tallur me shqiptarët duke mos e lëvizur çmimin për 3 javë me radhë, duke e ulur çmimin me 1 lekë e duke e rritur pas disa ditësh me 5 apo 10 lekë.

Nuk kemi dashur të ndërhyjmë në forcat e tregut, por duke parë që kishte luhatje që nuk reflektonin realisht rritjen e çmimeve të tregut dhe me qëllim të evitonim abuzimin nga tregtarët, vendosëm të ndërhyjmë. Ndërhyrja jonë ka qenë efektive në reduktimin e marzheve të fitimit dhe uljen e çmimit për konsumatorët”, tha Ibrahimaj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit