
Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti i rëndë i ndodhur paraditen e sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një automjet i një biznesi privat ka përplasur tre fëmijë që po qarkullonin me dy monopatina elektrike.
Ngjarja ndodhi pranë një prej kryqëzimeve më të frekuentuara në qendër të kryeqytetit dhe nga përplasja mbetën të plagosur 3 të mitur të moshave 9 deri në 11 vjeç.
Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, i mituri me inicialet J.N. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka pësuar dëmtime në kokë dhe mushkëri. Dy fëmijët e tjerë, me inicialet O.A. (11 vjeç) dhe E.S. (9 vjeç), janë në gjendje të qëndrueshme dhe po mbahen nën vëzhgim nga ekipi mjekësor.
Në vendin e aksidentin kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë së Tiranës, të cilat kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa një nga pistat paraprake është edhe kalimi i fëmijëve me monopatinë në mënyrë të parregullt në rrugë.
Ngjarja ngre sërish pyetje mbi sigurinë rrugore të fëmijëve dhe përdorimin pa mbikëqyrje të mjeteve të tilla si monopatinat elektrike, sidomos në zona urbane me qarkullim të lartë. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi përgjegjësitë konkrete për aksidentin.