"Dëmton rëndë lagunat e Nartës dhe Karavastasë", ekspertët e mjedisit kundër ndërtimit të Aeroportit të Vlorës

“Dëmton rëndë lagunat e Nartës dhe Karavastasë”,…

Ekspertët e mjedisit kanë paralajmëruar se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës rrezikon të shkaktojë dëme të mëdha dhe të pakthyeshme në lagunat e Nartës dhe Karavastasë, ku strehohen miliona shpendë të ndryshëm shtegtues, përfshirë pelikanët dhe flamingot.

Ambientalisti Niko Dumani, përfaqësues i grupit joqeveritar “Ruajtja dhe Mbrojtja e Mjedisit Natyror, Vlorë”, ka hedhur akuza mbi qeverinë, e cila sipas tij ka ndryshuar një plan të paracaktuar, që përfshin një pjesë të lagunës në perimetrin e zonës ku do të ndërtohet aeroporti.

“Është e çuditshme se si politikat e zhvillimit ndryshojnë nga promovimi i turizmit në promovimin e industrive të tjera, si transporti ajror, duke shfrytëzuar një habitat kaq të rëndësishëm për turizmin, si laguna”, deklaroi Dumani.

Një tjetër ambientalist, Aleksandër Trajçe, përfaqësues i organizatës joqeveritare “Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri, (PPNEA)”, vuri theksin te dëmet e paripueshme që do të shkaktonte ky investim miliona euro për ekosistemet në luginën e Nartës dhe Karavastasë.

“Ndërtimi i një infrastrukture të tillë pikërisht në mes të kësaj rruge do të nënkuptonte dëme të pabesueshme për popullatat e shpendëve për të cilat ky rajon është i famshëm dhe mbi të cilin lulëzon,” tha Trajce.

Ndër të tjera ai theksoi se ambientalistët nuk do ta lënë me kaq dhe se do të përballen me qeverinë në rrugë ligjore, duke kundërshtuar prekjen e zonave të mbrojtjura të lagunave nga ndërtimi i aeroportit.

Laguna e Nartës dhe Karavastasë vizitohet nga miliona zogj shtegtarë, përfshirë nga rreth 3000 flamingu dhe pelikanë, të cilët e përdorin si një ndalesë e përkohshme teksa fluturojnë mbi Adriatik, ku destinacioni i tyre është Afrika.

Kujtojmë se kostoja e Aeroportit të Vlorës është rreth 104 milionë euro dhe ai po ndërtohet në lagunën e Narës, rreth 10 kilometra në veri të qytetit të Vlorës. Ai do të ketë një pistë 3.2 kilometra.

Aeroporti po ndërtohet nga kompania zvicerane “Mabco Constructions”, e zotëruar nga Behgjet Pacolli.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit