Dy të rinj shqiptarë nga Burton-on-Trent janë dënuar nga një gjykatë në Angli për vepra të lidhura me shpërndarjen e kokainës dhe posedimin e pasurisë kriminale.
Taulant Dosku, 27-vjeç, pranoi fajësinë për posedimin e kokainës me qëllim shpërndarjen e saj. Ai u deklarua gjithashtu fajtor për posedim ose përdorim të pasurisë kriminale, si dhe për drejtimin e një automjeti pa siguracion dhe pa respektuar kushtet e lejes së drejtimit.
Daniel Dralo, 29-vjeç, pranoi fajësinë për përfshirje në shpërndarjen e kokainës dhe për posedim ose përdorim të pasurisë kriminale.
Të dy u dënuan më 18 shtator në Gjykatën e Kurorës në Stafford. Dosku u dënua me 1 vit e 8 muaj burg. Ndërsa Dralo u dënua me 2 vite e 3 muaj burg, por gjykata vendosi që dënimi të pezullohej për 2 vite, çka do të thotë se ai nuk do ta vuajë aktualisht dënimin në burg, për sa kohë respekton kushtet e pezullimit gjatë kësaj periudhe.
Rasti daton në muajin qershor, kur Dosku po drejtonte një Ford Kuga ngjyrë gri dhe ishte personi i vetëm në automjet. Policia e ndaloi mjetin në Horninglow, gjatë një operacioni të njësisë kundër krimit të organizuar.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën 13 qese të vogla me kokainë, 1030 paund cash dhe një iPhone.
Më pas, policia shkoi në një adresë në qytet. Dralo doli te dera dhe u kontrollua nga efektivët, të cilët i gjetën 290 paund cash dhe dy iPhone.
Pas vendimit, Victoria Downing, drejtuese e Njësisë së Krimit të Organizuar dhe Madhor, deklaroi se policia do të vijojë operacionet në të gjithë Staffordshire kundër grupeve kriminale të përfshira në shpërndarjen e drogës dhe veprave kriminale me pasoja të rënda për komunitetin.