
Gjykata dërgon për gjykim vëllezërit Kreshnik dhe Agim Gashi si autorë të vrasjes së Elton Javorit në Fier, bashkë me tre persona të tjerë që i ndihmuan pas krimit
Tre vite pas ekzekutimit të bujshëm të Elton Javorit në Fier, vëllezërit Kreshnik dhe Agim Gashi janë dërguar për gjykim si autorët kryesorë të krimit. Ata akuzohen për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve”.
Ngjarja ndodhi më 7 dhjetor 2023, kur Elton Javori u qëllua për vdekje në makinën e tij luksoze “Porsche Cayenne”, pranë banesës në lagjen “16 Prilli”. Sipas dosjes hetimore, Agim Gashi, i njohur dhe me emrin Agli, qëlloi me armë në drejtim të Javorit, ndërsa ky i fundit tentoi të kundërpërgjigjej. Plumbi fatal e goditi në kokë dhe i mori jetën në vend.
Hetimet zbuluan se konflikti kishte nisur më herët për arsye ende të paqarta, por që besohet të jenë banale. Mosmarrëveshjet mes palëve kishin mbetur të hapura dhe përshkallëzimi i tyre çoi në vrasjen me armë në mes të ditës.
Krahas dy vëllezërve, përpara gjykatës do të dalin edhe tre persona të tjerë që akuzohen për ndihmë pas krimit. Rexhep Puka do të gjykohet për “përkrahje të autorit të krimit”, një shtetas me iniciale A.L. për “moskallëzim të krimit” dhe një grua me inicialet E.Xh. për “deklarim të rremë”.
Elton Javori ishte nip i Medi dhe Demir Backës, figura të njohura për publikun në Fier. Medi Backa u vra në Masakrën e Levanit më 1997, ndërsa Demir Backa u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në tetor 2021 në qendër të qytetit.
Procesi gjyqësor ndaj vëllezërve Gashi dhe bashkëpunëtorëve të tyre pritet të tërheqë vëmendje të madhe, për shkak të natyrës së rëndë të ngjarjes dhe lidhjeve të viktimës me emra të njohur të botës së errët në Fier.