Dënohet me 44 muaj burg i riu shqiptar që shiste kokainë në Angli

Dënohet me 44 muaj burg i riu…

Një 29-vjeçar shqiptar është dënuar me 44 muaj burg në Angli, pasi u kap me kokainë dhe kanabis, ndërsa provat e gjetura në telefonin e tij treguan se ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës.

Mirand Alla, banues në Cauldon Road, Shelton, u arrestua më 5 mars pranë banesës së tij. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 5.8 gramë kokainë të ndarë në 13 qese, si dhe 40 paund dhe një telefon Samsung.

Kontrolli i banesës solli zbulimin e 7.2 gramëve kanabis, qeseve plastike dhe tre peshoreve elektronike, ku njëra kishte gjurmë kokaine.

Sipas prokurorisë, policia kishte konstatuar se Alla kishte përdorur automjetin e tij në Stoke-on-Trent një ditë para arrestimit. Provat e siguruara nga telefoni treguan se ai kishte qenë i përfshirë në furnizimin me kokainë dhe kanabis nga 24 janari deri në ditën e arrestimit.

Para policisë, shqiptari kishte pranuar se kishte drogë në xhepin e majtë, por kishte pretenduar se nuk ishte e tij.

Alla pranoi fajësinë për posedim të një droge të kategorisë A me qëllim shpërndarjen dhe posedim të një droge të kategorisë B me qëllim shpërndarjen.

Në seancë, avokati i tij tha se 29-vjeçari kishte krijuar varësi nga kokaina dhe se shpërndarjen e drogës e kishte përdorur për të financuar përdorimin e tij. Ai shtoi se Alla ishte i penduar për veprimet e tij dhe e pranonte se pas vuajtjes së dënimit do të dëbohej drejt Shqipërisë.

“Është i vetëdijshëm se do të kthehet në Shqipëri me turp”, deklaroi avokati, duke theksuar se shqiptari ka ende familjarë dhe fëmijë në Shqipëri.

Gjykatësi Graeme Smith u shpreh se droga shkatërron jetët e njerëzve dhe se përfshirja e të dënuarit në shpërndarjen e saj kishte kontribuar në ciklin e dëmit ndaj të tjerëve dhe shoqërisë.

Alla do të vuajë 44 muaj burg në Stoke-on-Trent Crown Court dhe, pasi të kryejë gjysmën e dënimit, do të dëbohet automatikisht drejt Shqipërisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit