Një 24-vjeçar shqiptar, Pandeli Dervishi, është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një 17-vjeçareje në tualetet e një lokali në zonën The Newarke, në Leicester. Ngjarja ndodhi të mërkurën, më 1 tetor, kur ai e detyroi të miturën të kryente seks oral me të.
Pas ngjarjes, policia nisi hetimet dhe Dervishi u la fillimisht në liri me kusht. Hetuesit arritën të gjurmonin vendndodhjen e tij në zonën e Guildfordit, në Surrey, përmes analizimit të të dhënave telefonike dhe regjistrave financiarë. Në orët e para të mëngjesit të 16 prillit, ai u pikas duke drejtuar një automjet tip Mazda të bardhë dhe duke kaluar me semafor të kuq.
Një efektiv i policisë së Surrey-t iu vu pas automjetit dhe, pas kontrolleve të mëtejshme, u konfirmua se bëhej fjalë për personin e shpallur në kërkim nga Policia e Leicestershire-it. Dervishi u arrestua dhe u përball me akuzat për përdhunim. Pas përfundimit të procesit gjyqësor në Gjykatën e Kurorës në Leicester, ai u dënua me shtatë vite e gjashtë muaj heqje lirie.