Një oficer i ri i Policisë së Shtetit, i sapodiplomuar nga Akademia e Sigurisë dhe prej rreth pesë muajsh në detyrë, i është drejtuar redaksisë tonë me një shqetësim lidhur me vendin e tij të punës dhe vështirësitë që, sipas tij, po përballet për shkak të largësisë nga familja.
Oficeri, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, tregon se është emëruar rreth 170 kilometra larg vendbanimit të tij në Tiranë, çka sipas tij përkthehet në rreth tre orë udhëtim nga banesa dhe familja e tij.
“Jam një oficer i ri i Policisë së Shtetit, i diplomuar nga Akademia e Sigurisë dhe prej rreth pesë muajsh në detyrë. Emërimi im është bërë larg vendbanimit tim dhe, pavarësisht se kam paraqitur kërkesa për t’u afruar me familjen, këto kërkesa deri më sot nuk janë marrë parasysh”, shprehet ai.
Sipas oficerit, ai i është drejtuar strukturave përgjegjëse me kërkesa zyrtare për transferim ose afrim me familjen, por deri tani nuk ka marrë një zgjidhje.
“Me gjithë dëshirën që kam për të vazhduar karrierën në Policinë e Shtetit, po detyrohem të mendoj seriozisht edhe për largimin nga detyra. Më vjen keq për sakrificën që kam bërë për shkollimin, por ndihem sikur jam lënë larg familjes pa u marrë në konsideratë rrethanat e mia familjare”, thotë ai.
Oficeri thekson se nuk kërkon trajtim të veçantë, por që rrethanat familjare të merren në konsideratë gjatë vendimmarrjes për sistemimin apo transferimin e punonjësve.
“Nuk po kërkoj privilegje dhe as trajtim të veçantë. Kërkoj vetëm që rrethanat familjare të merren në konsideratë. E kuptoj që profesioni i policit kërkon sakrifica, por kur je 170 kilometra larg shtëpisë dhe ke rreth tre orë rrugë për të shkuar te familja, situata bëhet shumë e vështirë”, shprehet ai.
Ai ngre gjithashtu shqetësumin se në sistemin e Policisë së Shtetit ka raste ku vendet e punës plotësohen në bazë të njohjeve personale.
“Çdo gjë funksionon me miqësi dhe asgjë nuk merret parasysh. Vetëm ata që kanë ‘mikun e fortë’ sigurojnë vendin, ndërsa të tjerët përfundojnë atje ku ka vende bosh, pa u marrë parasysh nëse janë familjarë apo jo”, pretendon oficeri.
Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me rastin personal, por është një shqetësim që prek edhe punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit.
“Po mundet ta ngrini si problem, do t’ju ishim mirënjohës, sepse nuk jam i vetmi. Është një nga problemet e shumta me të cilat përballen policët e thjeshtë dhe oficerët”, thotë ai.
Në fund, oficeri shpreh shqetësimin edhe për kushtet ekonomike të punonjësve të policisë, duke argumentuar se largësia nga vendbanimi sjell kosto të tjera për transportin dhe jetesën.
“Shumë nga ata që do ta lexojnë do të thonë: ‘Vetë e ke zgjedhur si profesion, duhet ta merrje parasysh’. Por unë nuk po kërkoj të shmang detyrën. Po kërkoj vetëm që të merret parasysh fakti që kam një familje dhe se kam mundësi të shërbej edhe më pranë saj, nëse ka vende të lira”, përfundon oficeri.