Denoncimi i policit nga Drenova: Jemi burgu më i mirë, por stafi pa rroga e pa kushte

Denoncimi i policit nga Drenova: Jemi burgu…

Një punonjës i Policisë së Burgjeve, i cili punon pranë IEVP Drenovë në Korçë, i është drejtuar JOQ Albania për të ngritur shqetësimin mbi pagesën e orëve dhe ditëve shtesë, kushtet e punës dhe uniformat.

Sipas tij, punonjësit kryejnë ditë shtesë pune, por paguhen vetëm për 22 ditë, ndërsa kërkesat e tyre për pagesën e ditëve të punuara më tepër, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.

“Nuk futet askush në burg 8 orë çdo ditë për qejf”, shkruan punonjësi, duke treguar se një pjesë e stafit përballet me problematika të vazhdueshme lidhur me pagesat.

Një tjetër shqetësim që ngre ai lidhet me investimet në ambientet e institucionit. Sipas denoncimit, ndërsa ndryshohen fasadat dhe lyhen ambientet, punonjësit kanë mungesa në kushtet e punës, duke përmendur ndër të tjera nevojën për rregullimin e vendrojeve.

Punonjësi thotë gjithashtu se IEVP Drenovë është vlerësuar nga DPB si “burgu më i mirë në të gjithë Shqipërinë”, por sipas tij, shpërblimi për stafin nuk ka qenë në përputhje me këtë vlerësim.

Në denoncim ngrihet edhe çështja e transportit të punonjësve në linjat Pogradec–Korçë dhe Bilisht–Korçë, për të cilat pretendohet se kostot mbulohen nga pagat e punonjësve. Sipas tij, transporti mund t’i lihej një operatori privat, në mënyrë që këto kosto të mos rëndonin mbi pagat e stafit.

Punonjësi ngre pikëpyetje edhe për uniformat, duke treguar se prej kohësh u janë premtuar uniforma të reja, por ato ende nuk janë vënë në dispozicion.

“Rroga jo, kushte jo, uniforma jo!”, shprehet ai.

Në fund, denoncuesi ngre shqetësime edhe për kontrollet dhe auditimet, duke thënë se pavarësisht konstatimit të shkeljeve, përgjegjësit nuk mbajnë përgjegjësi.

“Ku duhet të ankohemi dhe kujt duhet t’i besojmë?”, përfundon ai.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit