Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një person që prezantohet si punonjës i Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, i cili kërkon që identiteti i tij të mbetet i fshehtë, duke pretenduar se punonjësit përballen me presion dhe frikë nga pasojat nëse flasin publikisht.
Në qendër të denoncimit është Tonin Doda, një emër që prej vitesh është i lidhur me strukturat drejtuese të Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës.
Sipas denoncuesit, Doda aktualisht mban njëkohësisht dy funksione drejtuese, atë të drejtorit të mirëmbajtjes dhe drejtorit të kanalizimeve, ndërsa deri pak javë më parë, sipas tij, mbante edhe funksionin e kryeinxhinierit.
“Që nga nëntori e deri para dy javësh ka mbajtur tre pozicione: kryeinxhinier, drejtor mirëmbajtjeje dhe drejtor kanalizimesh. Tani ka dy të fundit”, shkruan denoncuesi.
Ai pretendon gjithashtu se situata brenda ndërmarrjes është kthyer në burim stresi për punonjësit dhe se Doda ushtron presion ndaj tyre.
“Ky vazhdon mban dy pozicione. Kërcënon në ndërmarrje. Ju lutem na ndihmoni se na është kthyer puna stres me këta”, thuhet në denoncim.
Por ajo që e bën më të ndjeshme çështjen është e shkuara e Dodës në këtë ndërmarrje.
I arrestuar në vitin 2015 për shpërdorim detyre
Në mars të vitit 2015, mediat raportuan arrestimin e Tonin Dodës, në atë kohë ish-drejtues i degës teknike të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës.
Sipas raportimeve të kohës, Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën “arrest me burg” ndaj Dodës dhe ish-drejtorit teknik Franc Stajka, pas kërkesës së Prokurorisë.
Ata dyshoheshin për “shpërdorim detyre”, pasi, sipas akuzës së atëhershme, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kishin paracaktuar fituesin e disa procedurave të prokurimit që lidhej me furnizimin me ujë dhe rikonstruksionin e rrjetit në zonat Spitallë-Porto Romano-Bisht Pallë, Shkozet dhe Sukth. Sipas Prokurorisë, dëmi i pretenduar ndaj shtetit arrinte në rreth 30 milionë lekë.
Hetimi ishte nisur pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa raportimet e asaj kohe flisnin për shkelje të konstatuara në disa procedura prokurimi.
Një tjetër fakt i dokumentuar tregon se emri i tij ka vijuar të jetë i pranishëm në strukturat drejtuese të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës. Në vitin 2024, Komisioni Kombëtar Rregullator, në një vendim për licencimin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës, e përcakton Tonin Dodën si drejtues teknik të shoqërisë.
Po ashtu, në shtator 2024 ai është raportuar publikisht si drejtor i Burimeve Mbështetëse pranë UK Rajoni Durrës, ndërsa në mars 2025 është prezantuar si drejtor i drejtorisë së ujërave të ndotura.
“Durrësi po qelbet nga ujërat e ndotura”
Në denoncimin e tij, punonjësi ngre edhe shqetësime për gjendjen e kanalizimeve dhe ujit në qytet.
“Durrësi po qelbet nga ujërat e ndotura, uji me ndotje dhe me E. coli”, shkruan ai, duke kërkuar që institucionet të ndërhyjnë dhe situata të hetohet.
Denoncuesi pretendon se shqetësimi për mënyrën e drejtimit të ndërmarrjes nuk është vetëm personal, por se mesazhi i tij ka mbështetjen e punonjësve të tjerë.
“Ky mesazh ka bekimin e gjithë ndërmarrjes”, pretendon ai.
Ai kërkon që rasti të bëhet publik, duke thënë se punonjësit ndihen të stresuar dhe se, sipas tij, ekziston frika e pasojave nëse flasin.
Pyetja që kërkon përgjigje
Nëse konfirmohet se një drejtues mban njëkohësisht disa poste në një ndërmarrje publike, pyetja është e thjeshtë: a është kjo në përputhje me rregullat e brendshme, kriteret e funksioneve dhe kuadrin ligjor të shoqërisë?
Po aq e rëndësishme është të sqarohet publikisht edhe statusi i Tonin Dodës lidhur me çështjen penale të vitit 2015 dhe nëse ndaj tij ka pasur apo jo një vendim përfundimtar gjyqësor.
JOQ Albania i drejtohet UKD dhe Tonin Dodës për një reagim lidhur me funksionet që mban aktualisht, pretendimet e punonjësit për presion ndaj stafit dhe çështjen e vitit 2015.
Nëse bëhet fjalë për një denoncim të pabazuar, institucionet dhe personat e përmendur kanë të drejtën të japin versionin e tyre. Por nëse pretendimet janë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që kërkon transparencë dhe verifikim institucional.