Në një denoncim të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngrihen pretendime për parregullsi në trajtimin e një rasti në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Sipas denoncuesit, disa ditë më parë një shtetase e huaj ka kallëzuar se ishte ngacmuar seksualisht nga një person. Ai pretendon se personi i përmendur është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje, por çështja nuk është referuar më tej pranë organit të akuzës.
Denoncuesi pretendon gjithashtu se gjatë trajtimit të këtij rasti qytetarit i është kërkuar një shumë prej 5 mijë eurosh, me qëllim që procedurat të mos vijonin. Sipas tij, personi i përfshirë nuk pranon të dalë publikisht, pasi është biznesmen i njohur dhe nuk dëshiron të ekspozohet.
JOQ Albania i ka kërkuar denoncuesit prova që mbështesin këto pretendime ose mundësinë për të komunikuar me personin që, sipas tij, ka dijeni të drejtpërdrejtë për ngjarjen. Deri në momentin e publikimit nuk është vënë në dispozicion asnjë dokument, material audio, video apo provë tjetër që të vërtetojë pretendimet, ndërsa personi në fjalë nuk ka pranuar të flasë publikisht.
Sipas denoncuesit, pretendimet mund të verifikohen nga institucionet kompetente përmes pamjeve të kamerave të sigurisë në Komisariatin e Sarandës, regjistrimeve të sallës operative, si edhe dokumentacionit që lidhet me kallëzimin dhe procedurat e ndjekura për këtë rast.
Duke qenë se bëhet fjalë për një denoncim anonim dhe pretendime të paverifikuara, JOQ Albania i publikon ato vetëm në kuadër të interesit publik, pa i konsideruar si fakte të provuara.
Nisur nga serioziteti i pretendimeve, JOQ Albania i bën thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që, nëse e çmojnë të arsyeshme, të kryejnë verifikimet përkatëse dhe të sqarojnë nëse këto pretendime qëndrojnë ose jo.