Denoncimi/ Pas 'Vodafone-Albania' fillon 'lojërat' edhe 'T-Albania', qytetari: Oferta mbaron shpejt, në Jug ikin valët...

Denoncimi/ Pas ‘Vodafone-Albania’ fillon ‘lojërat’ edhe ‘T-Albania’,…

Kompanitë celulare në Shqipëri janë futur që të treja në garë me njëra-tjetrën se kush i vjedh më shumë konsumatorët, duke përfituar edhe nga ‘omerta-ja’ e institucioneve shtetërore.

Drejtuesit e këtyre të fundit, pas një fushate të gjerë nga kompanitë celulare me dhurata të shtrenjta, duket se po kalojnë edhe pushime ekzotike, me gjasë të paguara po nga 3 operatorët GSM.

Kohët e fundit “Gazetaatdheu.com” ka publikuar shumë lajme me denoncime dhe dokumente nga abuzimet që “Vodafone-Albania” po bënte në kuriz të klientëve të saj.

Por duket se jo vetëm “Vodafone” është e paprekshme nga qeveria. Një tjetër kompani ka nisur nga “numrat” në kurriz të klientëve duke bërë abuzime.

Bëhet fjalë për “T-Albania” ose ish-AMC-ja e famshme, e cila e shitur në vitet e fundit dorë pas dore, më tepër se një kopmani shërbimesh është kthyer në një kompani rrentjere.

Siç raporton edhe “Boldnews.al”, një seri denoncimesh mbi cilësinë e dobët të shërbimit nga “T-Albania”, janë dorëzuar paraprakisht tek AKEP dhe Autoriteti i Konkurencës.

Por duket se institucionet shtetërore nuk e kanë vënë “ujin në zjarr” për denoncimet, prandaj ankesat e konsumatorëve kanë nisur të shpërthejnë në profilet e portaleve dhe mediave.

Referuar “Boldnews.al”, pas analizimit të të dhënave të denoncimeve, problematikat e paraqitura nga qytetarët mblidheshin në të paktën 4 pika kryesore, të lidhura sidomos me shërbimin e internetit të ofruar nga shoqëria bullgaro-shqiptare.

  1. Oferta mbaron shpejt

Qytetarët denoncojnë faktin se oferta mujore e internetit mbaron shumë shpejt, brenda 4-5 ditëve, pavarësisht se, sipas tyre, ata e përdorin shumë pak dhe vetëm për programe që konsumojnë sasi të vogla Megabajtësh.

“Pavarësisht se sa Giga-bajt internet ka oferta mujore, ato mbarojnë brenda 5 ditëve”, shkruan një qytetar në denoncimin e tij drejtuar redaksisë.

  1. Paketat harxhohen “flesh”

Një tjetër qytetar shkruan se “paketat e tyre, të cilat kushtojnë respektivisht 300 dhe 500 lekë, mbarojnë shumë shpejt dhe nuk ofrojnë cilësinë e internetit, për të cilën paguajmë dhe që shërben në aktivitetin tonë të përditshëm”.

  1. Cilësia e dobët e shërbimit

Qytetarët ankohen shumë, sidomos për cilësinë e shërbimit të internetit të ofruar nga ‘T-Albania”.

Sipas tyre, cilësia e internetit ndryshon shumë shpesh nga 4G në 3G, madje edhe në sinjalin “H”, pavarësisht se ata mund të mos kenë lëvizur nga i njëjti vend.

Ky raportim i klientëve të “T-Albania” lidhet drejtpërdrejtë me cilësinë e aparaturave të kompanisë.

  1. Zona pa mbulim

Në këtë periudhë pushimesh, shumë prej denoncuesve raportojnë se nuk marrin shërbimin e internetit nga ‘T-Albania”, sidomos në zonën bregdetare.

Madje, sipas tyre, ka raste që ikën tërësisht sinjali telefonik, duke i lënë pa komunikim.

“Rasti më i fundit ka qenë në zonën e bregut të Jugut, ditën e djeshme – shkruan së fundmi një denoncues – kur iku tërësisht sinjali i telefonisë “T-Albania”.

Nuk kishim as interenet, por as sinjal telefonik, thekson denoncuesi.

Heshtje institucionale

Qytetarët-denoncues tregohen të zhgënjyer edhe me mungesën totale të reagimit nga ana e institucioneve shtetërore që kanë për detyrë të monitorojnë dhe kontrollojnë aktivitetin e kompanive telefonike.

“I kam dërguar shpesh ankesa Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoritetit të Konkurrencës për ato që mua më duken si veprime abuzive nga T-Albania”.

Jo vetëm që nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje, por as nuk shoh të kenë marrë ndonjë veprim ndaj kompanisë celulare”, shprehet një denoncues.

Kompania “T-Albania” është themeluar në vitin 1995 me emrin “AMC”. Prej majit të vitit 2019, kompania është në pronësi të “Albanian Telekom Invest AD”, me aksionerë biznesmenin bullgar Spas Dimitrov Roussev dhe shqiptaro-bullgarin, Elvin Guri.

/Burimi: Boldnews.al/ Përshtati: Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit