Ditën e djeshme, JOQ Albania raportoi denoncimin e banorëve të lagjes Sallbeg nr. 1 në Kavajë lidhur me funksionimin e një shtëpie funerale në një zonë të banuar, pranë rrugës kryesore të qytetit dhe ambienteve ku kalojnë e luajnë fëmijë.
Sipas banorëve, aktiviteti vijon prej kohësh dhe, pavarësisht ankesave të përsëritura pranë institucioneve, nuk është gjetur një zgjidhje për situatën. Ata treguan se pozicioni ku ushtrohet aktiviteti nuk përputhet me kriteret ligjore dhe rregulloret vendore për funksionimin e shtëpive funerale, duke kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së licencimit dhe ushtrimit të aktivitetit.
Pas raportimit të JOQ Albania, ka reaguar avokati Alban Beu, përfaqësues ligjor i familjes Skuqi, së cilës i përket aktiviteti. Në reagimin e tij, avokati kërkon që të publikohet edhe qëndrimi i palës tjetër, duke theksuar se çështja është aktualisht objekt shqyrtimi gjyqësor.
Sipas tij, ankuesi ka ngritur padi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kundër familjes Skuqi, me objekt “pushimin e cenimit në pronësi”. Për këtë arsye, avokati thekson se pretendimet për paligjshmërinë e aktivitetit nuk përbëjnë një konstatim institucional apo gjyqësor, por janë pretendime të njërës palë në një konflikt që ende po shqyrtohet.
Avokati Beu deklaron se aktiviteti i familjes Skuqi është i regjistruar dhe i licencuar dhe se familja disponon dokumentacionin përkatës administrativ, përfshirë regjistrimin në QKB me objekt “Agjensi funerale”, licencën për aktivitetin “Shtëpi Funerale”, certifikatën e përdorimit dhe dokumentacionin e pronës.
Sipas përfaqësuesit ligjor, deri më tani, asnjë prej këtyre akteve administrative nuk është shfuqizuar apo deklaruar i pavlefshëm nga organi kompetent ose nga një gjykatë.
Reagimi i plotë:
Përshëndetje,
Ju kontaktoj në cilësinë e avokatit dhe përfaqësuesit ligjor të familjes Skuqi, lidhur me publikimin e sotëm me titull “Banorët e Kavajës revoltohen për shtëpinë funerale në rrugën kryesore: VKM s’e lejon, kryetari e di”.
Në respekt të informimit të drejtë të publikut dhe të së drejtës së palës së prekur për t’u dëgjuar, dëshiroj t’ju bëj me dije se materiali i publikuar paraqet vetëm pretendimet e njërës palë të një konflikti konkret që aktualisht është objekt shqyrtimi gjyqësor, pa paraqitur qëndrimin dhe dokumentacionin e palës tjetër.
Konkretisht, ankuesi Ferdinand Doraci ka ngritur padi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kundër familjes Skuqi, me objekt pushimin e cenimit në pronësi. Për rrjedhojë, nuk kemi të bëjmë me një konstatim institucional se aktiviteti është i paligjshëm, por me pretendime të një pale në një konflikt që po shqyrtohet nga gjykata.
Aktiviteti i familjes Skuqi është një aktivitet ekonomik i regjistruar dhe i licencuar, i mbështetur në dokumentacionin përkatës administrativ, ndër të tjera në lejet përkatëse, certifikatën e përdorimit, regjistrimin në QKB me objekt “Agjensi funerale”, licencën për aktivitetin “Shtëpi Funerale” dhe dokumentacionin përkatës të pronës. Deri më sot, asnjë prej këtyre akteve administrative nuk është shfuqizuar apo deklaruar i pavlefshëm nga organi kompetent ose nga një gjykatë.
Për këtë arsye, formulime të publikuara si “po bëhet një KRIM NJERËZOR, në kundërshtim me ligjin”, si dhe paraqitja e aktivitetit si të paligjshëm, nuk mund të trajtohen si fakte të provuara. Ato janë pretendime të personave që kanë bërë denoncimin dhe përgjegjësia për vërtetësinë e tyre u përket atyre.
Gjithashtu, nga sa rezulton për palën që përfaqësoj, pretendimi se denoncimi bëhet në emër të “banorëve të lagjes” nuk pasqyron realitetin e konfliktit konkret. Kundërshtimi dhe procesi gjyqësor janë iniciuar nga z. Ferdinand Doraci, ndërsa nuk na rezulton ndonjë mandat, peticion apo përfaqësim i dokumentuar që ta autorizojë atë të flasë në emër të banorëve të lagjes në tërësi.
Familja Skuqi respekton të drejtën e çdo qytetari për t’u ankuar dhe për t’iu drejtuar medias apo institucioneve. Megjithatë, kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në paraqitjen si fakte të provuara të pretendimeve që janë ende objekt shqyrtimi gjyqësor, aq më tepër kur cenojnë publikisht emrin dhe aktivitetin e një subjekti të licencuar.
Për sa më sipër, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, ju kërkojmë të pasqyroni edhe qëndrimin e familjes Skuqi dhe të saktësoni se pretendimet për paligjshmërinë e aktivitetit janë pretendime të denoncuesve dhe jo konstatime të organeve kompetente.
Jemi të gatshëm t’ju vëmë në dispozicion dokumentacionin përkatës të licencimit dhe, nëse e konsideroni të nevojshme, dokumentacionin procedural që provon se çështja ndodhet aktualisht përpara gjykatës.
Ju falënderoj për korrektësinë dhe presim që, në respekt të informimit të paanshëm të publikut, të pasqyrohet edhe qëndrimi i palës që përfaqësoj.
Av. Alban Beu
Përfaqësues ligjor i familjes Skuqi