
Prej një viti qëndron e hapur një depo ujërash të zeza në Ksamil, duke përhapur erë të padurueshme e rrezik për shëndetin e banorëve dhe pushuesve
Një sipërmarrës nga Ksamili ka ngritur alarmin për një situatë të përsëritur dhe tejet shqetësuese që po dëmton turizmin në zonë dhe jetesën e përditshme të banorëve. Përballë hotelit të tij ndodhet një depo filtrimi e ujërave të zeza, e cila që prej më shumë se një viti është lënë e hapur dhe jashtë funksionit, duke mos përmbushur më asnjë nga funksionet e saj bazë.
Problemi theksohet nga fakti që pompa që duhet të qarkullojë ujërat e ndotura drejt destinacionit final del shpesh jashtë funksionit, duke bërë që ndotja dhe era e rëndë të jenë të padurueshme. Banorët janë të detyruar të jetojnë mes aromave të pakëndshme dhe të rrezikojnë shëndetin, ndërkohë që turistët e largohen të zhgënjyer nga kushtet e papranueshme.
Përkundër ankesave të përsëritura ndër vite dhe premtimeve institucionale, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
“Përshëndetje JOQ! Jam një banor dhe sipërmarrës në Ksamil. Problemi ynë është se përpara portës së hotelit tonë ndodhet një depo e filtrimit të ujërave të zeza, e cila prej një viti qëndron e hapur, pa kapak dhe pa e kryer funksionin që ka, pasi pompa e cila qarkullon ujërat e zeza për në destinacionin përfundimtar digjet dhe del jashtë funksioni herë pas here.”
“Për pasojë, era është e padurueshme, pa llogaritur pasoja të tjera më të rënda që mund të vijnë për ne që jetojmë këtu, por edhe për turistët që na frekuentojnë. Jemi ankuar prej vitesh dhe vit pas viti në institucionet përkatëse dhe përgjigjja që marrim është se do zgjidhet vitin tjetër, do bëhet investimi përfundimtar, premtime boshe, mungesë përgjegjësie dhe asnjë reagim real. Reagimi vjen vetëm kur fillon shiu, i cili mbush kanalet e kullimit dhe depon e lartpërmendur, dhe gjithçka derdhet në oborrin e hotelit tonë. Për pasojë, i kthejmë pagesën njerëzve dhe të vetmit që mbajnë përgjegjësi jemi ne.”
Situata përkeqësohet sidomos gjatë reshjeve, kur kanalet e mbushura derdhin ujëra të ndotura në oborrin e hotelit. Pronarët ndihen të pafuqishëm përballë kësaj papërgjegjshmërie dhe jo rrallë herë janë detyruar t’ua kthejnë pagesën pushuesve që largohen të revoltuar. Pasi nuk ka një institucion që të marrë përgjegjësi, e gjithë barra bie mbi sipërmarrësit lokalë.
Një tjetër shqetësim i madh lidhet me tubacionin kryesor të ujit që kalon në rrugën kryesore të Ksamilit, përkatësisht mbi hotelin e njërit prej banorëve. Tubacioni çahet vazhdimisht, duke përmbytur hotelin dhe duke krijuar një situatë të padurueshme për vizitorët.
“Përpiqemi të punojmë dhe t’i shërbejmë turistëve, por shteti ynë inekzistent nuk denjon të reagojë dhe të bëjë çfarë i takon, sepse për të ndihmuar turizmin është vite dritë larg. Përveç kësaj, për të dhjetën herë në mes të rrugës kryesore të Ksamilit, pikërisht mbi hotelin tonë, çahet tuboja kryesore që furnizon qytetin me ujë, dhe përsëri uji vërshon brenda në hotelin tonë, duke krijuar situatë kaotike dhe irrituese për ata të cilët kanë ardhur të kalojnë ditët e pushimit.”
“Për të qenë të drejtë, për këtë problem kanë reaguar, por për arsye të ndryshme, ndoshta edhe paaftësi, riparimi i tubit mban vetëm 2 ditë dhe çahet të tretën. Kjo situatë ka ngjallur edhe një sherr mes banorëve dhe punonjësve, që për fat nuk përfundoi me pasoja të rënda.”
Në një rast të fundit, kjo situatë ka degjeneruar edhe në konflikt verbal mes banorëve dhe punonjësve, që për fat të mirë nuk ka përfunduar në incidente më të rënda.
Banorët kërkojnë zgjidhje urgjente dhe ndërhyrje serioze për të garantuar jo vetëm një mjedis të pastër, por edhe për të ruajtur imazhin e Ksamilit si një destinacion turistik, të cilit i mungon ende mbështetja institucionale.