Dëshmitari për ish-kreun e UÇK: Ma futën kokën në thes

Dëshmitari për ish-kreun e UÇK: Ma futën…

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën, më 20 shtator, ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte.

Në po këtë ditë është paraqitur edhe dëshmitari i parë në rastin kundër Mustafës. Dëshmitarit i është fshehur identiteti për çështje të sigurisë.

Dëshmitari: Dy persona mu prezantuan si pjesëtarë të UÇK-së

Prokurori, Cezary Michalczuk, ka qenë i pari që ka nisur t’i shtrojë pyetje dëshmitarit, i cili ka thënë se dy persona e kanë ndaluar në rrugë, të cilët kanë qenë të veshur me uniforma, që sipas tij kanë qenë lara-lara “sikur ato që ka mbajtur UÇK-ja”.

Megjithatë, dëshmitari ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë emblemë, menjëherë pas ndalimit ia kanë futur kokën në thes.

Kur është pyetur se pse mendon që personat që e kanë ndaluar kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ai ka thënë se, “ashtu më janë prezantuar”.

Ai ka thënë se dy personat që e kanë ndaluar, bashkë me dy personat në makinë, të gjithë me uniforma, e kanë çuar atë në Zllash.

Sipas tij, këta persona i kanë ofruar një çokollatë dhe më pas e kanë grushtuar në fytyrë, duke ia mbuluar kokën me thes.

“Thesin e kam pasur në kokë. Më kanë marrë dy persona, më kanë çuar në dhomën ku kam qëndruar, më kanë shqelmuar dhe nuk kam parë asgjë. Pastaj erdhën të tjerë, dhe rreth një orë kam qëndruar ashtu, më kanë marrë dhe më kanë dërguar në një vend tjetër, jashtë, ka qenë ftohtë, dhe më kanë rrahur”, ka thënë dëshmitari.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit