Dëshmitë dhe dilemat e Diddy-t: Akuzat për eskorta, prostitucion dhe rrjet kriminal  

Dëshmitë dhe dilemat e Diddy-t: Akuzat për…

Avokatët e Diddy-t nuk kanë konfirmuar nëse ai do të dëshmojë, por ekspertët ligjorë paralajmërojnë se një hap i tillë mund të kthehet në bumerang për mbrojtjen

Sean “Diddy” Combs e fitoi një gjyq penal në vitin 2001, kur dëshmoi vetë përpara një jurie në Manhattan, duke përmbysur akuzat për armëmbajtje dhe ryshfet që kishin lidhje me një incident në një klub nate në Times Square. Ai u paraqit si viktimë, duke fituar besimin dhe simpatinë e jurisë. Por sot, mbi dy dekada më vonë, Diddy përballet me një proces shumë më serioz: akuza federale për trafikim seksual dhe rrjet kriminal.

Avokatët e tij nuk kanë zbuluar nëse ai do të marrë përsëri fjalën në sallën e gjyqit. Por ekspertë të fushës ligjore, që nuk janë të përfshirë në këtë çështje, paralajmërojnë se dëshmia mund të rezultojë fatale për të. Ish-prokurori federal Mark Chutkow thotë se për një të pandehur që akuzohet për trafikim seksual, dëshmia publike është një “lëvizje e rrezikshme”, që duhet përdorur vetëm si mjeti i fundit.

Sipas Chutkow, nëse Diddy del në bankën e të akuzuarve, prokuroria do të rikthejë në skenë provat më të rënda – përfshirë një video famëkeqe që e tregon duke rrahur këngëtaren Cassie Ventura. “Si do ta shpjegojë atë pamje?” pyet Chutkow. “Nuk mund ta justifikosh dhe nëse përpiqesh, vetëm sa e thellon më shumë gropën ku ndodhesh.”

Michael Bachner, avokat mbrojtës dhe pjesë e ekipit ligjor të Diddy-t në vitin 2001, u shpreh se do të ishte i habitur nëse ai do të dëshmonte përsëri. Sipas tij, mbrojtja tashmë ka hedhur dyshime të mjaftueshme në mendjen e jurisë, duke e vënë në pikëpyetje motivimin e dy akuzueseve kryesore – Cassie Ventura dhe një ish-partnere tjetër e identifikuar si “Jane”.

Mbrojtja ka paraqitur një narrativë që përshkruan Diddy-n si një individ me sjellje të çuditshme seksuale dhe të dhunshme në disa raste, por jo si trafikant apo drejtues rrjeti kriminal. Ata i janë referuar mesazheve të dashurisë, email-eve dhe komunikimeve të tjera që tregojnë marrëdhënie të konsensualizuara, në përpjekje për të kundërshtuar pretendimet e akuzës për detyrim dhe dhunë.

Avokati Spencer Kuvin, që ka përfaqësuar viktima të Jeffrey Epstein, thekson se dëshmia e Diddy-t do të kishte një avantazh të vetëm: do ta humanizonte përpara jurisë. Megjithatë, mundësia për një kundër-dëshmi të dëmshme do ta rrezikonte rëndë pozicionin e tij.

Ish-prokurorja Sarah Krissoff thekson se mbrojtja mund të vijojë strategjinë aktuale pa nevojën që Diddyn të dëshmojë vetë. Ajo thotë se ai do ta ketë fjalën përfundimtare mbi këtë vendim dhe gjykata do të sigurohet që ai e merr atë vendim në mënyrë të vetëdijshme.

Ndërkohë, mbrojtja pritet të nisë paraqitjen e dëshmitarëve të saj javën e ardhshme. Dy punonjës të kompanisë “Combs Global” do të dëshmojnë në favor të tij, së bashku me një psikiatër që do të shërbejë si ekspert. Avokatët e Diddy-t mund të thërrasin edhe fëmijët e tij për të ndihmuar në paraqitjen e tij si baba i kujdesshëm dhe i përkushtuar – një figurë larg përshkrimit të prokurorisë si abuzues.

Nëse shpallet fajtor për trafikim seksual dhe komplot kriminal, Diddy përballet me dënim të përjetshëm. Procesi vazhdon dhe zgjedhja për të dëshmuar mbetet një ndër pikat më delikate të mbrojtjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit