Dëshmoi masakrën e Reçakut, ambasadori lë amanet varrimin

Dëshmoi masakrën e Reçakut, ambasadori lë amanet…

William Walker një nga miqtë më të fortë ndërkombëtarë të Kosovës, ka shprehur dëshirën e tij që një ditë kur të ndërrojë jetë të varroset më vendin ku 25 vite më parë dëshmoi për një masakër të madhe, në fshatin Reçak.

Ish-shefi i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), tha se “Do të isha i lumtur që kam thënë që kur të vdes dua të varrosem këtu. Isha bashkë me disa shqiptarë të Kosovës dhe e pata përmendur këtë. E shoh që do mundem të varrosem në Kosovë. Dhe ata më pyetën “a je serioz”. Unë i thashë që po do doja, të bëhej si një varr… një statujë plastike… po bëj shaka për këtë të fundit. Unë kam respekt të madh për Kosovën”.

Ambasadori Walker është një nga ndërkombëtarët më të urryer në Serbi, pasi në datën 16 janar 1999 ai vizitoi fshatin Reçak të komunës Shtime të Kosovës, dhe kur pa trupat e 45 viktimave civile  që një ditë më parë ishin masakruar nga ushtria serbe, ai i dha zë në mbarë botën si një krim ndaj njerëzimit.

Vizita e Walker ishte për të verifikuar nëse forcat serbe po vepronin konform një marrëveshje për tërheqjen e trupave ushtarake siç ishte nënshkruar disa muaj para masakrës në ShBA. Vetë Walker gëzon një respekt të veçantë në Kosovë, ndërsa ka qenë të paktën 24 herë që pas luftës në Reçak.

“Me disa njihemi që 25 vite, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që më është dashur të vij me një shkop. Por unë prapë dua të vij në Reçak sa herë që mundem”- tha ai.

Qeveria kishte miratuar një propozim-vendim për ndarjen prej 70 mijë euro për librin “Reçaku”, i shkruar nga ish ambasadori William Walker. Kujtojmë që në 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes. Ngjarja e Reçakut u pasua nga një sërë bombardime të NATO-s ndaj Serbisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit