Dështon Ligji i Pronës/ Në 7 vite vetëm 794 kompensime, asnjë lekë në 2 vitet e fundit

Dështon Ligji i Pronës/ Në 7 vite…

Kanë kaluar 7 vite nga ligji i kompensimit të pronës dhe kjo çështje vazhdon të jetë një plagë e pazgjedhur. Procesi i kompensimit nuk ka ecur sipas planeve dhe ky ligj po na shfaqet si një dështim i ATP. Në prezantimin e projektligjit u tha se brenda 10 viteve, pra deri në fund të vitit 2025 do të ketë përfunduar i gjithë procesi i kompensimit të pronave, por ritmet me të cilat ka ecur deri më tani ky proces lënë shumë për të dëshiruar.

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar të dhënat për kompensimet nga vitit 2015 deri në fund të vitit 2022. Bëhet me dije se në 7 vjet janë realizuar vetëm 794  kërkesa për kompensim prone. Pra nga 113 kërkesa në vit.

Për këtë periudhë ATP ka ekzekutuar në total vetëm 794 kërkesa nga subjektet, me vlerë financiare rreth 7.842 mld lekë. Minimale janë edhe treguesit e kompensimit përmes fondit fizik. Në total janë shpërndarë përmes kësaj formë kompensimi 713 hektarë nga fondi fizik i vënë në dispozicion të ATP me këtë qëllim”, thuhet në raportin e ATP.

Më specifikisht, gjatë vitit 2016 u shpërnda një fond për Kompensim Financiar prej 1,8 miliardë lekësh. Gjatë vitit 2017 u shpërnda një fond për Kompensim Financiar prej 2 miliardë lekësh, që është edhe shifra më e lartë.

Gjatë vitit 2018 u shpërnda një fond për Kompensim Financiar prej 1,5 miliardë lekësh, ndërsa gjatë vitit 2019 u shpërnda një fond për Kompensim Financiar prej 1,2 miliardë lekësh.  Dhe në vitin 2020 shifrat ranë ndjeshëm.

Ndërsa në vitet 2021 dhe 2022 nuk është dhënë asnjë fond për kompensimin e pronave, duke u justifikuar me krizën që la pandemia e Covid-19.

Ligji parashikonte që në dhjetë vite të shpërndaheshin çdo vit rreth 5 miliardë lekë si kompensim financiar, por në fakt me sa po shohim ky kriter nuk është zbatuar.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit