
Zbardhen detaje të reja nga plagosja me armë zjarri në Laç, ku mbetën të plagosur pesë persona. Ngjarja e rëndë, e ndodhur pranë Kishës së Laçit, ka nisur pas një konflikti banal për një gërvishtje mes dy makinave.
Sipas burimeve, disa të rinj ishin duke zbritur nga Kisha kur ndodhi një përplasje e vogël mes automjeteve të tyre. Pas përplasjes nisi një debat verbal që përshkallëzoi në dhunë, deri në momentin kur njëri prej tyre, i identifikuar si K. Kamberi, ka qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë, u plagosën katër të rinj që ishin në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe një shitëse ambulante që ndodhej pranë. Të plagosurit u transportuan me një automjet që aktualisht po ekzaminohet nga ekspertët, pasi dyshohet se ndaj tij është qëlluar.
Policia ka sekuestruar armën e përdorur në krim dhe është në kërkim të autorit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.