DETAJE/ Sherri në Durrës, i kërkuari nga SPAK goditi me qytën e pistoletës 36-vjeçarin

DETAJE/ Sherri në Durrës, i kërkuari nga…

Kanë dalë detaje të reja nga konflikti i ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Shkallnur të Durrësit, ku një 36-vjeçar mbeti i plagosur. Sipas informacioneve të publikuara, në ngjarje është përfshirë edhe Denis Tafili, një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Ura” kundër krimit të organizuar.

Sipas burimeve, Tafili dyshohet se ka ndërhyrë në konflikt për t’i dalë në mbrojtje një efektivi policie jashtë shërbimit, i identifikuar me inicialet L. Xh., i cili gjithashtu rezulton i përfshirë në ngjarje. Gjatë përplasjes, 36-vjeçari Edison Gjuzi dyshohet se është goditur me qytë pistolete, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë, çka ka ngritur dyshimet se është qëlluar edhe me armë zjarri.

Sipas Policisë, Gjuzi është goditur nga Denis Tafili dhe një 27-vjeçar me inicialet G. M., të cilët janë larguar me automjet menjëherë pas konfliktit. Forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kërkimet për kapjen e tyre, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po kryen veprimet procedurale ndaj efektivit të përfshirë.

Denis Tafili është një nga personat e hetuar nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e grupit kriminal të Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”. Në muajin maj të këtij viti, SPAK mbylli hetimet ndaj 24 anëtarëve të këtij grupi, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Grupi u godit në kuadër të operacionit të përbashkët shqiptaro-italian “Ura”, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 4 milionë euro cash, 12 milionë euro pasuri, si dhe dhjetëra prona e biznese që dyshohet se ishin krijuar nga aktiviteti kriminal.

Hetimet për konfliktin në Shkallnur vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit