Detaje të reja për krimin në Gjilan: Tetë plagë në trupin e viktimës dhe një armë e sekuestruar

Detaje të reja për krimin në Gjilan:…

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditura detaje të reja nga hetimet për vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 9 tetor në fshatin Livoç i Poshtëm. Në këtë ngjarje, Nafije Bogujevci, 27 vjeçe, dhe vëllai i saj, Egzon Bogujevci, 31 vjeç, dyshohet se u vranë me armë zjarri nga Valon Ramushi, bashkëshorti i saj.

Sipas mjekëve 30-vjeçarja që humbi jetën kishte tetë plagë nga arma e zjarrit në trup ndërkohë si pasojë e të shtënave, mbeti i plagosur edhe një familjar i viktimave.

Sipas informacioneve të Prokurorisë, ngjarja ndodhi rreth orës 14:30. I dyshuari Ramushi është vetëdorëzuar në polici pas rastit, ndërsa rrethanat dhe motivi që çuan deri te kjo ngjarje vazhdojnë të jenë objekt hetimi.

I plagosuri është identifikuar si M.B., 48 vjeç, djali i xhaxhait të bashkëshortes së të dyshuarit. Ai po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur prova për të dokumentuar rrethanat e krimit. Gjatë hetimeve është sekuestruar një pistoletë e markës “Beretta”, për të cilën bëhet e ditur se kishte leje të skaduar dhe dyshohet të jetë përdorur në rast. Po ashtu, janë kontrolluar tri prona të lidhura me të dyshuarin, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të tjera materiale.

Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se Valon Ramushi nuk figuron të ketë precedentë penalë dhe se ndaj tij nuk ishin raportuar më parë raste të dhunës në familje.

Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, të përcaktuara në nenet 173 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet po vazhdojnë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të përcaktimit të motivit dhe sqarimit të plotë të rrethanave në të cilat humbën jetën motra dhe vëllai.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit