
Zbardhen detaje të reja nga atentati mafioz që tronditi qytetin e Vlorës më 27 prill, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 58-vjeçari Renato Hoxhaj. Autori i dyshuar i krimit ka përdorur metoda të sofistikuara kamuflimi për t’iu shmangur identifikimit nga kamerat e sigurisë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vrasësi ishte i pajisur me një maskë silikoni që i mbulonte të gjithë fytyrën, kishte vendosur një bark artificial, si dhe kishte mbajtur maskë AntiCovid dhe kapele për të fshehur çdo detaj të identitetit të tij.
Pas krimit, dyshohet se autori është arratisur ilegalisht drejt Greqisë, ndërsa policia ka shoqëruar një person të dyshuar për ndihmë në këtë ngjarje të rëndë. Në Tiranë është ndaluar Erlis Mehmetaj, me origjinë nga Tropoja, i cili akuzohet se ka vënë në dispozicion automjetin që u përdor për largimin nga vendngjarja.
Makina e përdorur nga atentatori është identifikuar dhe rezulton se kishte targa të ndërruara, të cilat dyshohen të jenë të vjedhura. Gjithashtu, gjatë kontrollit, Mehmetajt i është sekuestruar një telefon celular ku janë gjetur komunikime që kanë ndihmuar hetuesit në identifikimin e autorit, megjithatë ky i fundit mbetet ende në kërkim.