Vetëm një ditë pasi u denoncua ndotja me naftë në plazhin e Dhërmiut, situata mbetet e pandryshuar. Në vend që të pastrohet bregdeti dhe të identifikohet burimi i ndotjes, pushuesit vazhdojnë të përballen me të njëjtin skandal mjedisor.
Qytetarët raportojnë se pas një zhytjeje të shkurtër në det, dalin me trupin të mbuluar nga njolla nafte dhe vaji. Ajo që duhet të ishte një ditë pushimi në një nga destinacionet më të bukura të Shqipërisë, është kthyer në një përvojë që lë shije zhgënjimi dhe revolte.
Dhërmiu, që prej vitesh reklamohet si perla e rivierës shqiptare, po përjeton një degradim të papranueshëm. Në kulmin e sezonit turistik, deti që duhet të jetë krenaria e zonës është kthyer në burim shqetësimi për qindra pushues. Familje me fëmijë, turistë shqiptarë dhe të huaj largohen të irrituar, ndërsa bregdeti mbulohet nga njollat e ndotjes.
Edhe më shqetësuese është heshtja e institucioneve. Pas denoncimeve të njëpasnjëshme, ende nuk ka një reagim serioz, as transparencë mbi burimin e ndotjes dhe as masa konkrete për pastrimin e zonës. Sikur të mos mjaftonte dëmi mjedisor, po dëmtohet rëndë edhe imazhi i turizmit shqiptar.
Është e pafalshme që një nga plazhet më të bukura të vendit të lihet në këtë gjendje, ndërsa autoritetet mjaftohen me heshtje. Ndotja nuk fshihet me postime promocionale dhe as me slogane për turizmin. Kur deti mbulohet me naftë, çdo minutë pa veprim është një dështim i institucioneve përgjegjëse.