Dhërmiu vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të bukura dhe më të frekuentuara të rivierës shqiptare, i njohur për ujërat kristal, natyrën mahnitëse dhe peizazhet që tërheqin mijëra vizitorë çdo vit. Por, për fat të keq, jo të gjithë tregojnë të njëjtin respekt ndaj kësaj pasurie natyrore.
Një ngjarje e papranueshme është regjistruar ditën e djeshme në një prej plazheve të zonës, ku dy vizitorë shqiptarë kanë lënë pas një qese me mbeturina buzë detit, duke ndotur ambientin dhe duke dëmtuar imazhin e një prej perlave të jugut të Shqipërisë.
Pamje të tilla jo vetëm që prishin bukurinë natyrore të zonës, por tregojnë edhe mungesë përgjegjësie ndaj mjedisit dhe hapësirave publike që janë pasuri e përbashkët.
Natyra nuk është kosh plehrash. Çdo shishe plastike, qese apo mbetje e hedhur pa kujdes i heq bukurinë vendit tonë dhe dëmton ekosistemin.
Ruajtja e pastërtisë së plazheve duhet të jetë përgjegjësi e secilit prej nesh. Dhërmiu dhe gjithë jugu i Shqipërisë meritojnë respekt, jo ndotje. Ta mbajmë të pastër jo vetëm për turistët, por edhe për veten dhe për brezat që do të vijnë.