Arrestohet pas më shumë se 6 muajsh në kërkim Eraldo Fizi, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj ish-partneres së tij, 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila pak kohë më pas konsumoi fostoksinë dhe ndërroi jetë në spital.
Sipas informacioneve paraprake, Fizi është arrestuar pas bashkëpunimit mes Komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe Komisariatit të Lezhës, ndërsa në proces kanë ndihmuar edhe kontaktet me familjarët dhe avokatin e tij. Këta të fundit dyshohet se kanë mundësuar dorëzimin e tij te autoritetet.
Aktualisht, Eraldo Fizi ndodhet në Lezhë, ndërsa pritet të transferohet drejt Tiranës, ku do të vijojnë procedurat ligjore ndaj tij.
Ngjarja lidhet me vdekjen e Xhuana Nikollajt, e cila ishte martuar me Fizin në qershor të vitit 2025 në Lezhë. Martesa zgjati vetëm rreth tre muaj dhe pas ndarjes, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë, ku jetonte së bashku me motrat e saj.
Sipas hetimeve, Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes në Tiranë, ku dyshohet se mes tyre kishte pasur një përplasje.
Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, Xhuana konsumoi fostoksinë dhe u dërgua në spital, ku më vonë ndërroi jetë.
Në kuadër të hetimeve, në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë është gjetur gjithashtu edhe një letër që e reja u kishte lënë prindërve.
Pas më shumë se gjashtë muajsh në kërkim, arrestimi i Fizi pritet të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes dhe episodet e dyshuara të dhunës që i paraprinë vdekjes së 25-vjeçares.