Dhunë në Bruksel / Mijëra protestues kundër kufizimeve anti-Covid

Dhunë në Bruksel / Mijëra protestues kundër…

Dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar në kryeqytetin belg, Bruksel, për të protestuar kundër masave anti-Covid. Disa protestues hodhën fishekzjarre ndaj oficerëve të policisë, të cilët ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë.

Thuajse 40 mijë njerëz zbritën në kryeqytetin belg për të protestuar kundër masave të reja anti-Covid që ndalojnë hyrjen e të pavaksinuarve në restorante dhe bare. Disa protestues u panë duke hedhur fishekzjarre ndaj policisë dhe si kundërpërgjigje, oficerët gjuajtën me ujë dhe gaz lotsjellës ndaj grupeve. Policia ka bërë disa arrestime, por ende nuk dihet se sa.

Pamjet me video nga Brukseli tregojnë një grup të madh protestuesish që i bërtasin policisë ndërsa disa hedhin fishekzjarre në drejtim të oficerëve. Në pamje mund të shihet edhe një burrë që udhëheq protestuesit.

Protestat u shndërruan në kaos, me disa nga protestuesit që u panë duke vënë zjarr në rrugë, ndërsa të tjerë hodhën gurë nëpër dritaret e bizneseve lokale, duke përfshirë një zyrë postare. Gjithashtu janë dëmtuar edhe dy makina policie.

Protesta erdhi vetëm disa orë pasi u zbulua se Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë në bërjen e vaksinimeve të detyrueshme me ministrat që pranojnë se masa është ‘e pashmangshme’ në mes të një vale të katërt të pandemisë që po gjymton spitalet e vendit.

Të shtunën pati demonstrata të ngjashme kundër kufizimeve në Austri, Zvicër, Kroaci, Itali, Irlandë Veriore, Austri dhe Maqedoninë e Veriut, një ditë pasi policia holandeze hapi zjarr ndaj protestuesve dhe shtatë persona u plagosën në trazirat që shpërthyen në Roterdam.

Në Belgjikë rastet janë rritur me infeksione që kanë arritur në 13,836 të dielën. Si përgjigje, qeveria ka futur kufizime duke përfshirë ndalimin e të pavaksinuarve nga vende të tilla si restorante dhe bare dhe një urdhër për të punuar nga shtëpia të paktën katër ditë në javë.

Policia tha se 35,000 protestues marshuan nga Stacioni i Veriut në Bruksel të dielën pasdite kundër një raundi të ri masash Covid të shpallura nga qeveria të mërkurën. Demonstrata, e quajtur ‘Së bashku për Lirinë’, pa disa protestues që u përleshën me policinë pranë zyrave të BE-së dhe qeverisë së kryeqytetit belg. Shumë prej protestuesve të kapur në përleshje ishin të veshur me kapuç dhe mbanin flamuj nacionalistë flamandë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit