Ish-drejtuesi i repartit zjarrfikës në Mallakastër, Armand Aliaj, është bërë pre e një sulmi fizik mëngjesin e sotëm, teksa ndodhej në lokalin e tij në qytetin e Ballshit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00, kur disa persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e biznesit dhe e kanë goditur me levë.
Sipas dëshmisë së Aliajt, ai ndodhej i vetëm në lokal dhe sapo kishte përgatitur kafen, kur autorët e kanë sulmuar nga pas, pa shkëmbyer asnjë fjalë me të. Pas dhunës, personat janë larguar me një automjet tip “Audi Q5”.
I dëmtuari është paraqitur vetë në Spitalin e Ballshit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Si pasojë e goditjeve, ai ka pësuar lëndime në pjesën e ballit, në duar dhe në shpatull. Plaga në ballë ka kërkuar edhe ndërhyrje për qepje.
Pas trajtimit fillestar, Aliaj është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit për ekzaminime të mëtejshme. Sipas informacionit paraprak, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.
Në deklarimet e tij, Aliaj është shprehur se nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë, ndërsa ende nuk dihen arsyet që mund të kenë çuar në këtë sulm.
Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, efektivët e policisë janë paraqitur në Spitalin e Ballshit për të mbledhur informacion mbi rrethanat e dhunimit. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi identitetin e autorëve dhe motivin e sulmit.