Pas publikimit nga JOQ Albania të pamjeve ku një 18-vjeçar shihet duke goditur me rrip në trup një grua që po lypte në pedonalen “Kolë Idromeno” në Shkodër, ka reaguar zyrtarisht Policia e Shkodrës. Por ajo që bie në sy në njoftimin e policisë është se ndaj të riut ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin Bledar Fikaj, 18 vjeç, banues në fshatin Golem të Shkodrës, i dyshuar për ushtrimin e dhunës fizike ndaj 46-vjeçares P. H. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Por a mjafton një procedim në gjendje të lirë për një rast të tillë? Në redaksinë tonë kanë mbërritur raportime nga qytetarë që ngrenë shqetësime për gjendjen e shëndetit mendor të të riut dhe sjelljen e tij në zonën e Pedonales. Këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por ngrenë nevojën që rasti të vlerësohet me seriozitet nga institucionet përgjegjëse.
Nëse ekzistojnë shqetësime reale për gjendjen e tij psikike, nevojitet një vlerësim nga specialistët e shëndetit mendor dhe, nëse përcaktohet si e nevojshme, trajtimi i duhur. Kjo nuk është çështje ndëshkimi për një problem shëndetësor, por parandalimi i rrezikut për vetë personin dhe për të tjerët. Një vlerësim i tillë nuk mund të zëvendësohet me hamendësime, por as të shpërfillet nëse ka arsye konkrete për shqetësim.
Policia nuk mund të mjaftohet vetëm me njoftimin se ka nisur procedimi penal, ndërsa qytetarët presin të dinë nëse janë marrë masa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Gruaja u dhunua në mes të ditës, në një hapësirë publike, dhe pamjet tregojnë qartë se sa e pambrojtur ishte përballë agresionit.
Institucionet duhet të sqarojnë jo vetëm përgjegjësinë ligjore për dhunën e ushtruar, por edhe nëse nevojitet ndërhyrje sociale apo mjekësore. Siguria e qytetarëve dhe trajtimi i duhur i personave që mund të kenë nevojë për ndihmë nuk duhet të mbeten vetëm në letër.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shkodrës:
“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetin social ‘JOQ’, ku shfaqet një shtetas që dyshohet se ushtron dhunë fizike ndaj një shtetaseje, në pedonalen ‘Kolë Idromeno’, Shkodër, sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas publikimit të videos, kanë kryer veprimet procedurale për rastin dhe kanë identifikuar shtetasin e përfshirë.
Në përfundim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin B. F., 18 vjeç, banues në fshatin Golem, Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases P. H., 46 vjeçe.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale ‘Dëmtime të tjera me dashje’.”