Dhunonte dhe kërcënonte me jetë biznesmenët, kush është Erjon Llapushi që përvetësonte pasuri me forcë

Dhunonte dhe kërcënonte me jetë biznesmenët, kush…

Operacioni Forca Operacioni zbarkoi sot në Korçë dhe Pogradec, ku ju ka kërkuar të deklarojnë pasurinë 4 personave, të cilët rezultojnë të dënuar për krim të organizuar apo krime të rënda.

Njëri prej tyre ishte Erjon Llapushi, i cili prej disa muajsh ndodhet në qelitë e paraburgimit, pasi dyshohet se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që përmes shantazhit dhe dhunës kanë detyruar biznesmenët e Pogradecit të dhurojnë aksionet e tyre.

Në njoftimin për mediat OFL bëri me dije se Erjon Llapushi, banues në Pogradec, i kërkohet deklarimi i pasurisë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.

Erjon Llapushi rezulton të ketë tjetërsuar një pjesë të aksioneve të bizneseve në Pogradec duke ua dhuruar më pas personave të tretë, gjithashtu me precedentë penal.

Në dëshmitë e zbardhura të aksionarëve të kompanive, iu shpjegohet hetuesve brutaliteti me të cilën vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve. Në dhjetor të 2018 dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga institucionet.

Pikërisht pas kësaj erdhi dhe arrestimi i Llapushit, i cili ra në pranga në shkurt të 2019-ës, kur dy vëllezër biznesmenë informuan prokurorinë për kërcënimet dhe kërkuan ndihmë pasi ndiheshin të rrezikuar për jetën e tyre dhe të familjarëve.

“E.Ll., banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim”-njoftoi sot OFL.

Operacioni Forca e Ligjit:

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

E.Ll., banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim;

A.P., banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”;

Th.Dh., banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

V.Z., banues në Korçë pasi Gjykata e Lartë Tiranë e ka deklaruar fajtor për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. /Shekulli

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit