
Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për motrat Antonela dhe Mariela Berishaj, të akuzuara për sulmin brutal ndaj 26-vjeçares Klea Prenga, verën e kaluar.
Prokurori Ndini Tavani ka kërkuar një dënim prej 3 vitesh burg për Mariela Berishaj, e cila aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtore, dënimi i saj zbret në 2 vite burg. Ndërkohë, për Antonela Berishaj është kërkuar një dënim prej 3 vitesh shërbim prove, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 2 vite.
Dy motrat u vetëdorëzuan në polici në tetor 2024 dhe akuzohen për “plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”. Sipas hetimeve, mbrëmjen e 6 gushtit 2024, në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit, ato e sulmuan Klea Prengën me sende të forta, përfshirë shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë.
Shkaku i dhunës dyshohet të ketë qenë xhelozia e Marinelës, e cila besonte se Klea kishte një lidhje të fshehtë me bashkëshortin e saj biznesmenin e njohur Mir Pepa prej të paktën një viti.