Një pacient që kryen trajtimin e dializes në spitalin “Hygeia” ka denoncuar kushtet në repartin ku merr shërbim, duke kërkuar që shqetësimet e tij të bëhen publike dhe të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.
Në një mesazh të dërguar në redaksinë tonë, qytetari shprehet se situata në repartin e dializës është shqetësuese dhe se pacientët përballen me probleme që lidhen me temperaturën, higjienën, gjendjen e krevateve, aparaturat dhe shërbimin e personelit.
Sipas denoncimit, në ambientet e dializës janë ndezur aspiratorët, ndërsa pacientët janë përballur me temperatura të ulëta. Qytetari thotë se, kur pacientët janë ankuar për të ftohtin, u është thënë se “të ftohtit nuk pyet”.
Shqetësime ngrihen edhe për higjienën në ambientet e repartit.
“Këtu higjiena ka mbaruar”, shprehet qytetari, duke kërkuar që kushtet të kontrollohen nga afër.
Në denoncim përmenden gjithashtu problemet me krevatet, të cilat, sipas pacientit, janë të amortizuara dhe nuk ofrojnë kushtet e duhura për persona që qëndrojnë për trajtime të vazhdueshme.
Një tjetër pikë e ngritur nga qytetari lidhet me aparaturat e dializës. Ai thotë se disa pajisje kanë pasur defekte prej një kohe të gjatë dhe se problemet teknike nuk janë zgjidhur siç duhet.
Sipas pacientit, në repart ka raste kur infermierët nuk u kushtojnë vëmendjen e nevojshme pacientëve dhe merren me biseda apo kafe, ndërsa shërbimi ndaj personave që janë duke kryer dializën, sipas tij, lihet pas dore.
Qytetari i drejtohet edhe Kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që situata në spitale të shihet nga afër dhe jo vetëm përmes deklaratave.
“O Edi Rama, spitalet shikoji, jo fol në ajër. Shikoji nga afër. Në dializë nuk ka atë lloj shërbimi dhe rregulli”, shprehet ai në denoncimin e tij.
Në fund, pacienti kërkon që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të verifikojnë kushtet në repartin e dializës, duke theksuar se pacientët kanë nevojë për ambiente të pastra, aparatura funksionale, kushte të përshtatshme dhe kujdes të duhur gjatë trajtimit.
Shërbimi i dializës, një trajtim jetik për pacientët që varen prej tij, vijon të ngrejë pikëpyetje për mënyrën se si ofrohet dhe monitorohet. Në rastin e Spitalit Hygeia, ku ofrohet edhe shërbimi i dializës, përgjegjësia për kontrollin dhe standardet bie mbi koncesionarin Klodian Allajbeu i cili ka marrë milionat për këtë shërbim ku pacientët mbeten vetëm me ankesa dhe premtime, ndërsa problemet sa vijnë e shtohen.
