Festa ka mbaruar prej tre javësh, por gjurmët e saj në Xibër të Dibrës vazhdojnë të qëndrojnë aty, vetëm se jo në formën e kujtimeve të bukura.
Një qytetar që ka kaluar sot në zonë ka denoncuar përmes pamjeve gjendjen skandaloze që është lënë pas: shishe, qese, ambalazhe dhe mbetje të shpërndara kudo, duke e kthyer një hapësirë natyrore në një landfill të improvizuar.
Njerëzit u mblodhën, festuan dhe u larguan. Plehrat, ndërkohë, mbetën. Dhe jo për një ditë apo dy, por për javë të tëra.
Aq mjafton për të treguar se për disa, festa përfundon sapo mbyllet muzika, ndërsa përgjegjësia për pastrimin duket se nuk ekziston fare.
Është e papranueshme që një zonë natyrore të lihet në këtë gjendje, sikur të ishte tokë pa zot. Natyra nuk është vendi ku hidhen mbeturinat pasi mbaron festa.
Xibra është kthyer në një pamje që nuk ka asgjë festive: nga vend ku njerëzit shkuan për t’u argëtuar, në një landfill në mes të natyrës.
Kush e organizoi aktivitetin dhe kush kishte përgjegjësinë për pastrimin duhet të japë llogari. Sepse një festë mund të zgjasë disa orë, por pasojat e papërgjegjshmërisë mund të qëndrojnë aty për muaj e vite.