Një stallë bagëtish është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në fshatin Lazhkizë në Dibër.
Sipas raportimeve, stalla që është në pronësi të Islam dhe Petrit Poleshi ka marrë zjarr rreth orës 1 të mëngjesit. Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një zjarrëvënie të qëllimshme, për të shkaktuar dëme.
Zjarri fatkeqësisht është përhapur me shpejtësi, pasi ka gjetur terren të përshtatshëm duke qenë se stalla ishte e ndërtuar me materiale drusore. Flakët kanë djegur disa bagëti, mes tyre 4 lopë bashkë me viçat e tyre, dhjetëra krerë bagëti dhe të paktë 20 koshere bletësh.
Zjarri nuk ka kursyer as bazën ushqimore të bagëtive që ishte e ngjitur me stallën. Nuk dihet nëse fermerët do të marrin dëmshpërblim nga institucionet përkatëse për dëmin e shkaktuar.
Hetimet pritet të zbardhin shkakun e zjarrit, dhe të vendosin para përgjegjësisë autorët nëse vërtetë rezulton se zjarri ka qenë i qëllimshëm.



