
Prej ditësh, anës lumit Vjosë po kryhet masakër mjedisore. Konkretisht në Këlcyrë, pranë lumit Vjosa mbeturinat digjen vazhdimisht duke përhapur re të dendura tymi që po bëhen të padurueshme për banorët e zonës.
Situata përkeqësohet akoma dhe më tej nga fakti se pak minuta larg në Psikovë ndodhet i njëjti fenomen, Djegia e mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar jo vetëm ndot ajrin, por paraqet rrezik për shëndetin e banorëve.
Një banor që jeton në nja fshat mes dy vatrave të zjarrit nënvizon mungesën e ndërhyrjes nga bashkia e Këlcyrës me kryetar Klement Ndoni dhe kryebashkiakes së Përmetit Alma Hoxha. Banorët kërkojnë masa urgjente për të ndaluar këtë praktikë të rrezikshme, mbrojten e shëndetit dhe lumit Vjosa.
“Mirmengjes! Kemi nje jave qe digjen mbeturinat anes lumit Vjose ne kelcyre na mbyti tymi sikur te mos mjaftonte kjo, shume pak minuta larg nga Kelcyra ndodh po e njejta gje ne Piskove ironia e fatit eshte se une jam ne nje fshat qe ndodhet midis dy zjarreve keq majtas e keq djathtas”, shkruan qytetari.
Lumi i Vjosës rrjedh 168 milje nga malet e Pindit në Greqi përmes kanioneve të ngushta, fushave dhe pyjeve në Shqipëri deri në bregdetin e Adriatikut. Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se në të nuk lejohet asnjë ndërtim që cenon lumin dhe ruajtje të biodiversitetit.
Kjo nënkupton lehtësi në zgjidhjen e sfidave me të cilat përballet ekosistemi, si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi por me mosreagimin e bashkisë Përmet dhe Këlcyrë, ky lumë i shpallur Park Kombëtar po masakrohet duke u kthyer në një burim rreziku për shëndetin dhe duke krijuar një panoramë të shëmtuar.