Disa ditë më parë u tentua të futeshin fishekë kontrabandë, Policia e Kosovës njofton për të shtëna në veri

Disa ditë më parë u tentua të…

Policia e Kosovës ka njoftuar për të shtëna me armë në veri të vendit mbrëmjen e 23 shkurtit, në afërsi të pikës së kontrollit në Zveçan. Disa efektivë policie që po patrulonin zonën kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur nëntë gëzhoja.

Mendohet se të shtënat e armëve kanë qenë të qëllimshme kundrejt Policisë së Kosovës, si rast i përsëritur i sulmit ndaj tyre. Përmes një njoftimi për media, policia e cilësoi këtë incident si “sulm kundër rendit kushtetues”.

Më 27 janar u njoftua se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri drejt një veture patrulluese policore në lokacionin e njohur si Banjskë, në Komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe. Një tjetër incident ndodhi më 23 janar, në Bistricë të Leposaviçit, kur dy serbë refuzuan që të ndaleshin në një pikë kontrolli dhe Policia shtiu me armë zjarri drejt veturës, duke plagosur një prej tyre.

Ndërkohë disa ditë më parë, Policia e Kosovës sekuestroi afro 6300 fishekë. Municionet po hynin në veri të vendit në mënyrë kontrabande nga një shtetas serb, i cili dyshohet se ishte furnizuar në Serbi.

Tensionet në veriun e Kosovës vijojnë të jenë të ndezura, në një kohë kur po diskutohet edhe për asosacionin e komunave dhe një normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit